Dy vëllezër shqiptarë të moshave 17 e 19 vjeç i kanë marrë jetën kushëririt të tyre 28 vjeçar në Kypseli (Athinë) të Greqisë fqinje.
Krimi që tronditi komunitetin atje ndodhi mbrëmjen e të hënës, ndërsa vrasja është filmuar nga kamerat e sigurisë. ERT-ja dhe media tjera greke kanë publikuar disa prej momenteve të krimit të rëndë. Në lidhje me motivin e krimit, media vendase ka raportuar mbi pretendimet nga ana e dy vëllezërve. Këta të fundit kanë thënë para hetuesve se kur kanë qenë të vegjël, janë abuzuar seksualisht prej 28 vjeçarit, të cilin ata e kanë vrarë duke përdorur thika.
“Dy vëllezërit kanë pretenduar se teksa jetonin ende në Shqipëri dhe ishin ende fëmijë, kushëriri ka abuzuar seksualist me ta. Kur ata kanë ardhur në Greqi kanë tentuar t’i harrojnë episodet e rënda. Pavarësisht kësaj, ditët e fundit kushëriri i tyre kishte ardhur në Greqi. Kur ata e kanë parë, memorjet e hidhura janë rikthyer dhe shtyrë vëllezërit të vrasin 28 vjeçarin”-shkruan ERT.
Përgjegjësinë për krimin e ka marrë 17 vjeçari, i cili tha se ka qenë ai që e ka goditur për vdekje me thikë 28 vjeçarin, në pjesën e fytit.
Ngjarja ndodhi në rrugën Patision. Pasi e kanë goditur disa herë me thikë, vëllezërit janë larguar, për t’u paraqitur 1 orë më vonë së bashku me nënën e tyre në stacionin e policisë. Viktima është lënë në pellgun e tij të gjakut. 28 vjeçari është zvarritur për disa metra, ku është pikasur nga një patrullë aty pranë që ka thirrur urgjencën. I riu është shpallur i vdekur pasi ka mbërritur në spital.
Vëllezërit shqiptarë nga ana tjetër kanë pranuar krimin gjatë vetëdorëzimit të tyre. Pritet që këtë të martë ata të dalin para gjykatës