Afrim Ismaili, truproja i Van Damme tregon çfarë ndodhi pas kuintave me aktorin e famshëm

Kur Jean Claude Van Damme mbërriti në Kosovë këtë korrik, ai ishte pranë aktorit në çdo moment. Ishte vizita e parë e aktorit në tokën e dardanëve dhe për mbarëvajtjen e saj u kujdes më së miri Afrim Ismaili.

Shqiptari nga Kumanova rrëfeu në një intervistë për Kosovapress njohjen me aktorin dhe sesi u bë e mundur ardhja e tij në Kosovë.

“Me Van Dame jemi takuar për shkak të një shokut tim i cili jeton dhe vepron në Zvicër dhe ka prodhuar një orë. Me Van Damme ai ka bërë një marrëveshje dy apo tre vite më parë, që orën që ai ka prodhuar me i pas inicialet e Van Dame (JCVD)”-tregoi Afrimi.

Afrimi ka qenë truproja i tij dhe një ndër përgjegjësit për sigurinë e mbarëvajtjen e qëndrimit të aktorit me famë botërore në Kosovë. Afrimi po ashtu tregoi një moment interesant të komunikimit me aktorin, i cili sipas tij është sjellë në mënyrë vëllazërore me të gjithë personat që u kujdesën për qëndrimin e tij në Kosovë.

“Në aeroport, Van Dame mbërriti me avion privat. Kur e kemi sjellë, kur e ka parë policinë dhe eskortën, nuk ma merr mendja se e ka bërë dikush në botë për të, i pëlqeu shumë.

Duke ngrënë, na ka parë që kemi qenë krejt kohës në këmbë. Na thirri dhe kemi qëndruar me të lirshëm, sikur të ishim shokë.”-tregoi Afrimi.

Veç profesionit të tij si truprojë, Ismaili tregon se ka luajtur disa role nëpër prodhimet filmike, konkretisht me ‘Stupcat’ me nofën “Goja”, pastaj tek seriali “Schengen Visa” e më tutje në serialin tjetër “Çka ka shpija”. Ismaili nuk e mohoi se ka dëshirë të madhe që një ditë të marrë pjesë në ndonjë rol filmik së bashku me Van Damme.