Agjërimi në Natën e Kadrit, Podcast me Elvisin: Tre gjëra themelore që duhen bërë

Në Podcast me Elvisin, diskutojmë mbi vlerën e madhe të agjërimit në Natën e Kadrit. Elvisi na tregon se cilat janë tre gjërat themelore në këtë natë të madhe dhe përse Nata e Kadrit ka një peshë kaq të madhe.

Si është agjërimi i ditës së sotme dhe çfarë e pret njeriun në natën e 27?

Elvisi: Synimi ynë, synimi i çdo teologu, është që njeriu të mos ikë nga kjo botë në mënyrën më katastrofike të mundshme, që ta mohosh Zotin e Gjithësisë. Se ai/ajo që sot agjëron për të pritur Natën e Kadrit, për çfarë e bën?

Për Zotin e madh…

Atëherë ka shprehur besim. Kush beson se ka një Zot, i qofshim Atij falë,  edhe nëse në botën tjetër do të dënohet për një kohë të caktuar, do të vijë koha që do të shpëtojë, do të vijë në xhenet. Ne i sugjerojmë vëllezërve e motrave që ta plotësojnë atë (agjërimin) deri në orën 19:16. Pra duhet të ndalohet ushqimi e pija… çdo njeri që sot agjëron për të pritur Natën e Kadrit, dëshmon se ka besim dhe nuk guxon njeri në sipërfaqen e tokës që t’ja ndalojë këtë gjë. Gjëja më e madhe që mund të bëjë njeriu, është të besojë Zotin që e ka kriju.

Ka thënë, në Ditën e Gjykimit, do të vijë koha që do të nxjerri i Madhi Zot, nga zjarri i xhehenemit, atë që ka patur edhe një grimcë besim… Edhe atë nuk e humb i Madhi Zot.

Ne presim sot, pas orës 19:16 minuta, hapet iftari, dhe ajo është koha që hyn nata e 27 e muajit të madhëruar, që shumica e ulemave të islamit kanë thënë se është Nata e Kadrit.

Çfarë duhet të bëjmë? Tre gjëra themelore i ka Nata e Kadrit        

E para është falja për të Madhin Zot, i qofshim Atij falë. Kush falet në Natën e Kadrit, qoftë edhe dy rekatë, e falenderon Zotin në Fatiha, i bën Zotit ruku dhe sexhde, i Madhi Zot ka premtuar se ia fal gjynahet… gjynahet që janë midis njeriut dhe Zotit, kurse gjynahet që janë bërë mes njeriut e njeriut, duhet me i kërku hallallin. Ka një falje që është midis njeriut e njeriut që nuk i ka kërkuar hallallin. I kërkohet hallali dhe ai thotë nuk të jap sepse jam ende i mërzitur.

Thotë Pejgamberi alejhi selam se në Ditën e Gjykimit, Zoti i Gjithësisë, atij që ka për të bërë hallall hakun, i nxjerr bukuritë e Xhenetit. Ai i sheh dhe i thotë… ‘o Allah kush e ka shansin që t’i fitojë ato mirësi që kurrë nuk mi ka zënë syri?”

Allahu i thotë… “Shansin e ke ti”

Po si o Zot?-pyet ai, ndërsa Allahu i thotë… “Fale vëllanë tënd”

Një kjo, pra falja. E dyta gjë që fitohet në Natën e madhe të Kadrit.

“Ne e zbritëm këtë Kur’an Famëlartë në Natën e Kadrit”. Muaji i Ramazanit që ka famë, nuk e mori këtë famë kot, e ka sepse ka zbritur Kur’ani. Në natën që zbriti, Natën e Kadrit, kjo natë mori famë të jashtëzakonshme. Përpara nuk ka qenë Nata e Kadrit. Kjo natë, është një dhuratë që i është dhënë Umetit të Pejgamberit Alejhi Selam. Kam dëshirë ta përsëris, që nga respekti që muslimanët e muslimanet i bëjnë Natës së Kadrit, me miliarda do ta fitojnë Xhennetin. Sepse në mos që në start, xheneti do t’i presë ata një ditë, sepse kanë respektuar të madhin Zot.

Tregohet që Pejgamberi alejhi selam po u tregonte shokëve të tij një histori. I tregonte për një njeri shumë të devotshëm që e kishte adhuruar Zotin për 70-80 vjet fuqishëm, ditën natën. Ata u bënë xhelozë për veprat e mira dhe i thanë… ‘sa fat paska patur ai njeri’ Shumë prej sahabëve u bënë musliman dikush 30-, dikush 40 e kështu me radhë. Pra ata thonin nuk e kapim dot këtë njeri të devotshëm.

Zoti për këtë nijet të pastër që kanë njerëzit e mirë, tha “Mos u mërzisni, Zoti që ju do më shumë se ç’e doni ju veten, do t’ua japë këtë shpërblim që ai e bëri për 70 vjet, vetëm në një ditë” (Natën e Kadrit).

Ajeti i Kur’anit thotë… “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”

Së treti, Nata e Kadrit ka dhe një të mirë tjetër të madhe. Në Natën e Kadrit caktohen veprat.

“Në të përcaktohet çdo Kader i Zotit, deri në Natën e Kadrit tjetër, me urtësi dhe mençuri e dituri nga i Madhi Zot”

Asgjë nuk ndodh kot, nuk ka rastësi. Në Kur’an thuhet… “Dhe një gjethe nuk bie nga pema, pa Lejen e të Madhit Zot”

Pra kur e respekton Natën e madhërueshme të Kadrit, përcaktohen veprat deri për Natën tjetër të Kadrit, dhe kur je duke u falur, duke respektuar muajin e madhëruar, me agjërim, i Madhi Zot shpresohet që të zbresë për këtë njeri mëshirë të madhe, dhe t’i japë atij gjëra të mira dhe gjëra që atij do t’i duken sprova e të këqija, nga ato do t’i nxjerri shumë të mira sepse prej tyre njeriu farkëtohet.

Çfarë duhet bërë diçka e veçantë që të përfitohet sa më shumë…?

E para sot, është falja e namazit të Jacisë në xhami. Sot duhet të vizitohen xhamiat, sepse kur muslimanët mblidhen në shtëpitë e Zotit, xhamiat, Mëshira e Tij është akoma dhe më e madhe. Për shkak se sa më shumë mblidhen për një vepër të mirë, edhe begatia vjen më e madhe. Ne thamë që kush falet, Zoti do t’ja falë të gjitha gjynahet e jetës. Pas kësaj, të mundohet të bëjë gjëra të mira.

Flasim edhe për besimtarë të rinj. Ok, agjëroi, erdhi dhe për Jacinë, po më tutje çfarë të bëjë, thotë…?

Elvisi: E para është të thotë fjalët e mëdha, “Zoti është Një dhe Një i Vetëm”.

E dyta, “O Zot, Ti je Falës, e don faljen, më fal mua”

Tjetër lutje që do të ishte shumë e mirë, por që zemra ta pranon vetëm në Ramazan sepse pas, njeriu jepet nga pasioni dhe s’do ta bëjë.

Kur’ani thotë… “Dëshiron Allahu t’ju falë juve, dhe dëshirojnë ata që ndjekin rrugën e pasionit t’ju fusin në rrugën e epsheve, veseve dhe pasioneve pafundësisht”

Kështu e ka ndarë Kur’ani. Pra që Zoti do t’ju falë, t’ju përmirësojë, kurse njeriu shtyhet dhe nga një pjesë tjetër. Se njeriu është mendje dhe shpirt. Shpirti e zemra nganjëherë anojnë dhe nga vesi e pasioni dhe logjika humb. Pra robi e di që po shkon me këmbët e veta në ves, në një tunel të errët, por të pëlqen, edhe pse e di në fund të atij tuneli helm do të gjesh. Të gjithëve na ndodh kjo. E bukura është që e bën gjithmonë dhe po një rezultat ka.

Po një rezultat, prap pakënaqësi, prap dëshpërim dhe të nesërmen… e bën prap

Elvisi: Në mos të nesërmen, e bën javën tjetër. Dhe një gjë tjetër, që pastaj këto janë simptoma të mendjes e shpirtit. Vesi të përzihet me gjakun dhe ti e di që ajo do të të poshtërojë, por ti e bën prap sepse nuk i shmangesh dot më. Ka një problematikë shumë të madhe, është që, ti e di tani që vesin e ke, nuk e heq dot, nuk të jep më atë kënaqësi, dhe ti vijon ende e bën. Përshembull bixhozi, përshembull një njeri që zihet, godet tjerët ose një person që bën një gjynah tjetër. Ai e di, e ka kuptuar prej eksperiencës që kjo nuk të çon kurrkund, por nuk i shmanget dot.

Të paktën, ne të themi. “Zot na fal” dhe e dyta, “Zot na ruaj në Ramazan dhe jashtë Ramazanit”