“Ah zemra ime, po na digjet shpirti” Babai shpërthen në lot, djali i prekur nga tumori

Si mban zemra e këtij babai që sheh të birin 5 vjeç të sëmurë me tumor e në dhimbje të forta, vështirë të tregohet përmes fjalëve.

Por mbase është portreti i këtij babai, zëri që i dridhet kur i flet djalit e lotët që nuk i pushojnë, ato që rrokin drejt atë që ndodh në zemrën e tij. Prej muajsh Eltoni shikon sesi Indriti vogël përkeqësohet dalëndagadalë. Prej muajsh ky baba, mban në zemër si thikë, pamundësinë për t’i bërë derman të birit. E thika, me kalimin e ditëve, shkon edhe më tutje në zemrën e tij.

Lotët i kanë mbetur Eltonit. Të vetmit shoqërues në këto ditë të errëta.

Familja nga Maliqi është e pamundur, e varfër. Por për të shpëtuar jetën e djalit, Eltoni e di fort mirë se duhet një shumë parash që ai kurrë nuk do të mundet ta mbledhë. Ndaj ai lutet mes lotëve, që bamirësia e shqiptarëve do të jetë e mira e madhe që do të vijë për t’i nxjerrë djalin nga errësira, ta largojë nga dhimbjet, e me shpresën në Zot, ta shpëtojë nga sëmundja.