“Ai nuk do të ndalojë, do tentojë të arratiset” 1 vit pas tragjedisë, flet ish bashkëjetuesja e Dan Hutrës

Ishte marsi i vitit të kaluar kur i gjithë opinioni publik do të tronditej nga një seri me vrasje e plagosje, të cilat u kryen nga dora e një personi të vetëm të quajtur Dan Hutra. I kalkuluar dhe i ftohtë, Hutra do të vriste tre gra dhe do të plagoste tre të tjera, brenda një harku kohor prej pak orësh.

Mëse një vit ka kaluar dhe mbi ngjarjen ka folur ish bashkëjetuesja e Hutrës, Alketa Hysa. Ajo u shpreh se është larguar nga vendi pasi ka frikë se Dan Hutra sërish do të tentojë të arratiset nga burgu për t’i marrë asaj jetën.

“Sikur sot ka ndodhur. (Qan). I bëj thirrje shtetit që të na mbrojë. Ai është shumë i rrezikshëm. Shteti ta shtrëngojë, se ai ça nuk bën. Ai nuk do të ndalojë, do të vazhdojë të bëjë këtë gjë deri sa të ketë jetë. Shteti nuk duhet ta tolerojë Dan Hutren asnjë minutë. Ai mendon akoma plane djallëzore si të dalë prej aty nga burgu. Ai do të vazhdojë prapë.”-tha Alketa Hysa.

Më tutje 36 vjeçarja ka rrëfyer se i ka shkëputur të gjith kontatet me familjarët e Hutrës.

“Njerëzit e Dan Hutrës janë monstra të gjithë. Vajza nuk mban kontakte fare me njerëzit e Dan Hutrës. Nuk dua që të interesohen fare as për djalin e as për vajzën. Ata janë persona monstruozë, kështu që nuk ka si të kenë raporte. Vajzën nuk e kemi regjistruar në çerdhe, sepse na mungon kujdestaria. Djali është ende i vogël për të shkuar në çerdhe, të rritet edhe pak. Jetoj me frikë dhe këtu ku jetoj, sepse nga Dan Hutra çfarë nuk pret. Ai është më shumë se monstër”, deklaroi Alketa Hysa në një intervistë për median.