“Ai vinte 5 herë në ditë, Vanessa fshihej” Flasin kolegët e nënës së re, që u vra nga 41 vjeçari shqiptar

“Vanesa kishte frikë. Sa herë ai vinte në supermarket, e shpesh vinte dhe 5 herë brenda ditës, ajo kërkonte të fshihej diku që të mos shihej, ishte e shqetësuar. Mua më kishte thënë se e kishte denoncuar për përndjekje, por shqetësimi i saj ishte kthyer në diçka më të madhe”

Kështu tregon për “Corriere-n” një prej kolegëve të Vanessa Ballan, e reja 26 vjeçare e cila u vra brutalisht me goditje thike nga Bujar Fandaj, një 41 vjeçar shqiptar me origjinë nga Kosova. 26 vjeçarja ishte shtatzënë në muajin e tretë dhe nënë e një fëmije 5 vjeçar. Me Fandaj kishte patur një lidhje e cila kishte përfunduar keq. 26 vjeçarja punonte në një supermarket në Castelfranco të Veneto-s, e sipas miqve të të ndjerës, prej kohësh e pavarësisht denoncimit në polici, 41 vjeçari shqiptar e përndiqte edhe në punë Vanesën.

“Ai ishte përherë këtu, vinte shpesh e veçanërisht gjatë paradites duke pëdorur justifike se do të blinte diçka, diçka fare të vogël. Pas asaj ikte dhe vinte më vonë sërish. Të gjithë e kishim parë. Të gjithë e dinin se ai ishte ai ‘personi’ që vinte për të kërkuar Vanesën”-tregon kolegu.

Rrëfimi i fqinjëve të 26 vjeçares

Corriere ka intervistuar edhe fqinjët e 26 vjeçares së ndjerë, të cilët kanë treguar se e kishin parë shpesh herë një ‘të panjohur’ që vinte vërdallë. Tamara Tessano, një mike e fqinje e Vanesës rrëfen se është njohur për herë të parë me të ndjerën vite më parë, kur ajo dhe i shoqi kanë ardhur në banesë.

“Kanë ardhur këtu disa vite më parë, para lindjes së fëmijës së parë, pra njiheshim prej vitesh. Ajo dhe Nicola ishin të lumtur, e mbase sepse po vinte në jetë një tjetër fëmijë. Vanesa më tregoi për Fandajn të shtunën e kaluar. Unë nuk dija gjë, sepse ajo nuk më kishte treguar. Unë në shtëpi kam qenë në atë kohë (në momentin e vrasjes), por nuk kam dëgjuar asgjë”-tregon gruaja.

Prokurori i Treviso-s Marco Martani, tregoi në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë pas krimit, se Fandaj e Ballan kishin patur një lidhje që kishte zgjatur nga fundi i 2022 deri në verën e vitit 2023. Sipas prokurorit, autori i dyshuar veçse, nuk kishte pranuar që lidhja të përfundonte e kishte nisur ta kërcënonte me jetë 26 vjeçaren.