Një 44 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Italinë fqinje si pasojë e një aksidenti të trefishtë në Cologno al Serio.
Media italiane shkruan se viktimë mbeti Gëzim Makgjoka, i cili banonte në Crema. 44 vjeçari udhëtonte i vetëm në momentin kur është përplasur me një makinë ku ndodhej një familje me dy fëmijë të mitur, një djalë 7 vjeç dhe një vajzë 3 vjeçe.
Sipas dinamikës së zbardhur deri më tani nga autoritetet, përplasja mes dy makinave ka qenë ballore. 44 vjeçari më pas është përplasur në hyrjen e një godine dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Të lënduar po ashtu mbetën çifti me fëmijë. Të miturit fatmirësisht nuk morën lëndime serioze. Në vendin e ngjarjes mbërritën një helikopter dhe disa ambulanca për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve.
Në aksident u përfshi indirekt dhe një makinë e tretë e tipit Ford Fiesta, e cila drejtohej nga një vajzë në moshë të re (29 vjeçe). Kjo e fundit devijoi makinën e saj jashtë rrugës, në orvatje për të mos u përplasur me dy makinat. 29 vjeçarja mori lëndime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.