Aksidenti me 4 të plagosur në Prrenjas: Pas 5 ditësh në koma, 24 vjeçarja humb betejën me vdekjen

Afro 5 ditë pas aksidentit tragjik në rrugën Prrenjas- Qafë Thanë, 24 vjeçarja Eneida Pishkashi ka humbur bejetën me vdekjen, duke mbyllur përgjithmonë sytë më 13 prill. E reja ndodhej së bashku me familjen e saj disa metra në anë të rrugës pranë një lokali, në momentin kur papritur drejt tyre ka ardhur një makinë me shpejtësi të lartë. Makina drejtohej nga një 44 vjeçar i quajtur Jetmir Daci, i cili ka përplasur familjarët si dhe automjetin e tyre, i ndaluar në rrugë. Pas testit të alkoolit rezultoi se 44 vjeçari ishte nën efektin e alkoolit.

Në aksident 24 vjeçarja mori lëndimet më të rënda, duke përfunduar në spital, në koma. Dy motrat e saj më të vogla, 10 e 6 vjeçe po ashtu u plagosën, pasi makina erdhi drejt tyre me shpejtësi dhe i mori përpara. 10 vjeçarja pësoi frakturë në këmbë, ndërsa 6 vjeçarja po ashtu mori lëndime. Vajzat ishin me të atin, emigrant i cili ishe kthyer në atdhe për një festë familjare. Babai i vajzave po ashtu u plagos, së bashku me gjyshen e vajzave e cila pësoi frakturë në këmbë. Kjo e fundit tregoi për aksidentin e rëndë.

Shoferi 44 vjeçar u procedua penalisht ditën e aksidentit, por u akuzua fillimisht vetëm me akuzën e ‘Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor’. Me vdekjen tragjike të 24 vjeçares, 44 vjeçari tanimë është prangosur dhe pritet të përballet me akuza më të rënda penale