Aksidenti mes dy makinave i mori jetën 9 vjeçarit në Bërxullë, policia: Një nga shoferët udhëtonte i dehur

Një aksident mes dy makinave mbrëmjen e djeshme në Bërxullë, solli vdekjen tragjike të një vogëlushi 9 vjeçar, i cili ndodhej në një lokal aty pranë në momentin kur njëra nga makinat është përplasur me godinën.

Autoritetet kanë njoftuar këtë të dielë se kanë arrestuar dy shoferët e makinave që u përplasën, shtetasit N.A 63 vjeç si dhe 30 vjeçarin me inicialet E.H. Shoferi i makinës që ka dalë nga rruga dhe mandej është përplasur në lokalin ku ishte dhe i mituri 9 vjeçar, rezulton të ketë qenë i dehur.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bërxullë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit N. A., 63 vjeç, banues në Kodër Kamzë, dhe E. H., 30 vjeç, banues në Paskuqan.

Shtetasi N. A., duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin tip “Dacia”, me drejtues shtetasin E. H. Nga përplasja automjeti tip “Toyota” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një lokali duke aksidentuar një shtetas të mitur 9-vjeçar. I mituri nga dëmtimet e marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”– thuhet në njoftimin e policisë.