Akti heroik i shqiptarit, i shpëtoi jetën një foshnje që kishte rënë në lumë në Malin e Zi

Një grua humbi jetën pasi u mbyt në lumin Moraça të Podgoricës… por foshnja e saj u shpëtua gjallë, e gjitha falë ndërhyrjes heroike të një shqiptari, deputet në parlamentin e Suedisë.

Fjala është për Adnan Dibranin, i cili është hedhur në aksion menjëherë për t’i shpëtuar jetën fëmijës dy muajsh. Adnani kishte mbërritur në Malin e Zi si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (për të parë ndjekur në Malin e Zi). Ai ka kryer masazh kardiak derisa fëmija ka nisur të reagojë e mandej shqiptari e ka dorëzuar foshnjen tek mjekët. Në intervistë për “Pobjeda”, ai ka shpjeguar se çfarë ndodhi.

“Po e kaloja urën dhe shikova drejt ujit kur pashë një grua dhe një fëmijë që notonin në lumë. Disa djem të tjerë erdhën, zbritën në lumë dhe nxorën foshnjën nga uji. Ndërsa të tjerë thirrën një ambulancë. Vrapova drejt tyre dhe pashë që po mbanin në krahë foshnjën, nuk kishte shenja jete. Meqenëse kam një fëmijë të vogël në shtëpi, e dija çfarë të bëja në situatë të tillë.

E mora foshnjën prej tyre dhe u përpoqa të bëja atë që di, sa më mirë që mundem, e shtrëngova foshnjën, dhe ia nxora ujin nga mushkëritë. Kur e dëgjova të qarën e tij, nxitova te urgjenca dhe ia dorëzova foshnjën.

Vetëm shpresoja që fëmija të fillonte të merrte frymë. Dhe kur dëgjova britmën e tij, më dha energji shtesë për t’ia dalë mbanë që ta shpëtoj… Do të përqafoj fëmijët e mi, dhe në mendjen time shpresoj që foshnja së shpejti të jetë sërish e shëndetshme me prindërit e tij”, tha Dibrani.

Foshnja u dërgua në spital dhe aktualisht është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Mjekët kanë shpjeguar se foshnja rrezikon ende komplikime

“Fëmija është në rrezik të komplikimeve të aspirimit dhe infeksionit. Ai po monitorohet në reanimacion dhe çdo prognozë është e rëndë, po të kemi parasysh që fëmija është dy muajsh”-shpjegoi për mediat një prej mjekëve që kujdeset për fëmijën.