Një qytetar model dhe një akt human e i mirë që na nevojitet shumë në këto kohë të vështira. Policia e Kosovës ka njoftuar mbi aktin pozitiv të një qytetar në Prizren, i cili ka gjetur në pikën kufitare të Vermicës një portofol me një sasi të konsiderueshme parash dhe një sërë dokumentesh.
Qytetari me inicialet A.D e ka marrë portofolin dhe e ka dorëzuar në stacionin policor të Prizrenit. Policia ka mundur të identifikojë personin që kishte humbur portofolin dhe ia ka kthyer.

“Në Stacionin Policor në Prizren qytetari me inicialet A.D. ka dorëzuar një portofol të cilën e kishte gjetur në pikën kufitare Vermicë. Në portofol kishte dokumente personale dhe para të gatshme në vlerë prej pesëqind e tridhjetë (530) euro dhe një (1) dollar amerikan.
Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arritur që të identifikoj personin që i kishte humbur portofolin dhe të njëjtit pas verifikimit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer.
Duke çmuar këtë gjest human, të devotshëm dhe të ndershëm falënderojmë qytetarin e ndërgjegjshëm, po ashtu falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm në Policinë e Kosovës.”-njoftoi policia e Kosovës.