U mbajt për të paktën 15 orë në qeli, fill pasi e ndaluan, e zhveshën dhe i bënë kërkime të imtësishme… gjithçka vetëm për një kuti me çaj mali.
Është kjo historia e Agim Agajt, një 53 vjeçari shqiptar që u trajtua në mënyrë të shëmtuar nga disa oficerë britanikë. Burri me profesion piktor dhe dekorues po udhëtonte me makinën e tij kur u ndalua për kontroll nga disa oficerë policie. Një prej oficerëve pa në makinë një kuti plastike të madhe (foto lart) ku kishte çaj mali… veçse oficerit i është dukur çaji si bimë marijuane.
The Sun ka intervistuar Agimin, i cili tregoi bisedën që pati me oficerët.
“Një nga policët hapi derën e furgonit tim dhe aty pa një tas të madh plastik. Iu drejtua policit tjetër dhe tha “”ky paska marijuanë”…”-tregoi për “The Sun” 53 vjeçari shqiptar.
Në orvatje për t’u shpjeguar, Agimi u tha oficerëve: “Jo, nuk është drogë. Është çaj mali… por ata nuk më dëgjuan, thjesht më arrestuan.”
Agimi vijon më tutje. “Çaji nuk ka asnjë lidhje me barin. Nuk ka as të njëjtën erë. Edhe një fëmijë mund ta dallojë se çfarë është çaji e çfarë është kanabisi.“
Agimi u mbajt në qeli për disa orë në Dorset dhe u mor në pyetje ditën e ardhshme. Më pas ai u lirua pasi nuk kishte asnjë provë për akuzën e posedimit të lëndëve narkotike. 53 vjeçari tregoi se oficerë të tjerë kishin shkuar të kërkonin në shtëpinë e tij të vjetër dhe në shtëpinë e një shoku të tij.
“Kurrë nuk jam arrestuar në jetën time”-shpjegoi Agimi për “The Sun”, duke shtuar se nuk e kuptoi se përse e ndaluan.