Anketë: 28% e shqiptarëve kanë një plan për t’u larguar nga vendi

Një numër i madh shqiptarësh po tentojnë të largohen prej atdheut për një jetë më të mirë në perëndim. Sipas një ankete të kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), afro 28% e shqiptarëve në Shqipëri kanë një plan për të emigruar jashtë vendit.

Sipas anketës, Shqipëria rezulton të jetë dhe vendi me përqindjen më të lartë në rajon të personave që duan të emigrojnë/ largohen nga shteti tyre.

Pyetjes ‘kam zhvilluar një plan për të lëvizur’, iu përgjigjën pozitivisht 11% e shqiptarëve, një përqindje e cila është më e larta në të gjithë rajonin e Ballkanit (afro dy herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit).

Shumica e atyre që duan të largohen nga atdheu, shfrytëzojnë lidhjet familjare apo miqësore me ata që tanimë kanë emigruar nga Shqipëria.

Një pjesë tjetër e atyre që thonë se do të largohen, tregojnë se lëvizin nga atdheu për shkak të studimeve. Në 28% e personave që thonë se duan të largohen, thuajse çereku i tyre kanë nisur tanimë një kurs gjuhe të huaj. Një tjetët 18% tregon se po aplikojnë për programet e vizave blu e kartave jeshile (green card), ndërsa një pjesë e vogël prej 3%, thonë se kanë siguruar kontrata pune.

Afro 1/3 e shqiptarëve që kanë në plan të largohen, thonë se kanë gjetur punë nëpërmjet aplikimeve në internet.