Shkencëtarët po monitorojnë prej kohësh një anomali të çuditshme në fushën magnetike të planetit tonë, një zonë gjigande ku intensiteti i fushës magnetike është më i ulët se në rajonet e tjera të globit.
Studiuesit e njohin këtë zonë që shtrihet nga Amerika jugut deri në jugperëndim të Afrikës, si “Anomalia e Atlantikut Jugor”.
Satelitët e NASA-s e kanë vëzhguar përgjatë viteve këtë zonë. Nga kalkulimet rezulton se fusha magnetike në këtë hapësirë është zvogëluar. Kjo anomali nuk pritet të ndikojë në jetën e njerëzve e gjallesave të tjera, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për satelitët e shumëçka që ndodhet në orbitën e ulët të tokës. Kjo pasi për shkak të forcës së dobët të fushës magnetike, lë të hapur mundësinë për të sjellë probleme për satelitët apo stacionin ndërkombëtar hapësinor. Shpesh herë operatorët e satelitëve detyrohen të fikin mekanizmat kur orbitojnë në këtë anomali.
Shkencëtarët deri më tani gjykojnë se burimi kryesor i kësaj anomalie është oqeani i hekurit të shkrirë që ndodhet në bërthamën e jashtme të Tokës, disa mijëra kilometra poshtë sipërfaqes së planetit tonë. Lëvizja e kësaj mase gjeneron rryma elektrike që krijojnë fushën magnetike të tokës, e mesa duket… fusha nuk është uniforme.
Një ndër arsyet e tjera që shkencëtarët mendojnë se mund të shkaktojë zvogëlimin e intensitetit të fushës magnetike në këtë zonë, është një bllok masiv guri dens, i cili lokalizohet poshtë kontinentit Afrikan, në një thellësi prej afro 3,000 kilometrash.
Për më shumë detaje, ndiqni videon e mëposhtme