Apeli i mjekëve: Kapsollat e fishekzjarret mund ta dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme dëgjimin

Fishekzjarret e në veçanti kapsollat, mund të dëmtojnë seriozisht dëgjimin. E veçanërisht dëgjimin e fëmijëve e adoleshentëve në vend, të cilët gjatë këtij muaji i gjen jo të paktë në numër duke luajtur me kapsollat.

Mjekët otorinolaringologë apelojnë prindërit që t’i ruajnë fëmijët e tyre nga përdorimi i kapsollave e fishekzjarreve, pasi disa syresh mund ta dëmtojnë dëgjimin edhe në mënyrë të pakthyeshme.

“Është një gjë shumë e rrezikshme, përgjithësisht janë të vegjlit të cilët blejnë kapsolla dhe i hedhin në tokë apo në afërsi të shokëve të tyre, ose tek njerëzit që kalojnë rrezikshmëria nuk është vetëm në faktin që ne trembemi në momentin e plasjes por rrezikshmëria është e madhe në dëmtimin e nervit të dëgjimit, të gjithë duhet ta dijë që dëmtimi i parikthyeshëm i nervit të dëgjimit është në raste e shpërthimeve të fuqishme”- thotë mjekja Anjeza Kuçi, në një prononcim për Euronews.