Arkeologët zbulojnë në Zambi një strukturë prej druri me moshë gjysëm milionë vjeçare

Një zbulim me rëndësi të madhe është bërë së fundmi nga arkeologët, të cilët kanë gjetur disa drunj të përdorur nga njerëzit e lashtë… plot gjysëm milioni vite më parë (476,000 vite)

Zbulimi është bërë në një lumë në Zambia (Afrika) dhe ka ndryshuar perspektivën e arkeologëve për jetën e njerëzve në tokë.

Zbulimet janë publikuar në revistën prestigjoze “Nature” dhe sugjerojnë se njerëzit e epokës së gurit i kanë përdorur trarët për të ndërtuar banesa.

“Ky zbulim ka transformuar idetë tona për jetesën e njerëzve të lashtë. Ata kanë arritur të ndërtojnë diçka të madhe prej druri. Kanë përdorur inteligjencën, imagjinatën dhe aftësinë për të krijuar diçka që nuk ka ekzistuar kurrë”-tha arkeologu, profesor Larry Barham.

Veç trarëve të drurit (me gjatësi afro 1.5-2 metër), janë zbuluar po ashtu dhe mjete primitive prej druri. Por ajo që tërhoqi interesin e arkeologëve, ishin dy copa druri të gjetur në një kënd të caktuar me njëri- tjetrin.

“Një prej drurëve është vendosur mbi tjetrin dhe të dyja copat kanë prerje dhe dukshëm këto prerje janë bërë me mjete prej guri. Kjo bën që të dy trarët të përshtaten për të krijuar një strukturë”-tha Geoff Duller, profesor i gjeografisë në Universitetin Aberystëyth dhe një prej anëtarëve të ekipit të arkeologëve që kreu zbulimin.

Analiza e trarëve tregoi se ato janë 476,000 vjeçare. Arkeologët shpjeguan se druri ka mundur të mbijetojë kaq gjatë falë faktit se ka qenë në ujë, pasi në të kundërt trarët do të ishin shpërbërë prej kohësh.

 Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al