Arrestohet i riu në Shkodër, goditi me thikë babë e bir pas një sherri banal

Një 26 vjeçar ka rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë, teksa mbrëmjen e djeshme goditi me thikë një 52 vjeçar së bashku me të birin 19 vjeçar.

Sherri nisi pas një konflikti për motive të dobëta në lagjen ‘Mark Lula’ të Shkodrës. Fatmirësisht babë e bir janë jashtë rrezikut për jetën.

“DVP Shkodër arrestoi shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:40, në lagjen “Mark Lula”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit Sh. L., 52 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (babë e bir), banues në Shkodër, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.        

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.-njoftuan autoritetet.