Ditën e premte (13 dhjetor) një 17 vjeçar goditi 4 herë me thikë një bashkëmoshatar në oborrin e shkollës në Cakran të Fierit. Policia njoftoi të shtunën se e ka arrestuar adoleshentin, i cili akuzohet për veprën penale ‘vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një plagosje me mjet prerës (thikë), në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha”, Cakran, ku mbeti i plagosur shtetasi i mitur, H. Xh., 17 vjeç, ju informojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin e mitur, B. D., 17 vjeç, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë. Konflikti midis shtetasve të mitur ka nisur pasi shtetasi i dëmtur H. Xh., pretentonte se autori i dyshuar, shtetasi B. D., shpërndante në rrjetet sociale fotografi të tij. Shtetasi H. Xh., aktualisht ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia.
I lënduari fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, i shtruar në spital me një plagë në pjesën e krahut të majtë.
Sherri nisi pas një debati në rrjetin social ‘snapchat’. Ndërkohë këtë të shtunë, babai i autorit ka shkuar në spital për të takuar dhe kërkuar faljen e 17 vjeçarit të plagosur e familjarëve të tij.
Ai ka thënë se i biri është i sëmurë. Të njëjtin version ka dhënë dhe gjyshja e autorit, e cila ka pohuar se nipi i saj është trajtuar me ilaçe që në moshën 5 vjeçare. Me lot në sy, ajo tregon se nipi është i vetmi që ka familja dhe se prej disa kohësh ai nuk kurohej më pasi një shok i kishte thënë të mos pinte më ilaçet.
“Ai ka qenë i sëmurë, trembej. E trembte e ëma, i thoshte të hëngërt kukuvajka! Edhe i çonte edhe dragonj, ai trembej në gjumë e kë të kapte sa mezi e përmendnim. Ishte 6 vjeç atëherë e deri sot, e vizituam, i dhamë kokrra. Nuk i piu, i tha një shok mos i pi. Trembej more vëlla, trembej! U pre ajo frika që piu kokrrat dhe u stabilizua. I tha një shok i shkollës mos t’i pijë, nuk i piu më. Ata atë ditë e kishin thirrur, dhe dy, tre ata cakranjozët. Hajde të të shikojmë telefonin. Kishte vajtur, 6 veta ata, një ky. Ja kishin marrë telefonin, këtë e kam personale kishte thënë djali. Ai e kishte qëlluar me shkelma, ai djali që u vra. E kështu, çfarë të të thotë nëna! Nuk e dëgjonte të atin, pije të keqen babi. Ne donim firmën e nuses që ta vizitonim në Greqi, po ajo nuk e dha firmën. Ne atë kemi o të keqen nëna, mos na pyet se çfarë na ka gjetur!”, u shpreh e moshuara.
Ditën e djeshme 17 vjeçari i plagosur tregoi për median se çfarë ndodhi.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto ai mua, familjes sime dhe shokëve të mi, gjithashtu dhe familjeve të atyre dhe që i kishte postuar në një rrjet social dhe i hidhte fotot në telefonat e shokëve të tij. Ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Dhjetë minuta para se të futeshim në mësim, ai ishte te korridori i klasës, ne vemi lart dhe e kapim për pjesën e fotove dhe i themi e sqarojmë si muhabet, nëse ke foto të familjarëve të mi dhe shokëve të mi mund ti fshish dhe e mbyllim këtë muhabet këtu. Ai tha jo, telefoni është personal dhe pastaj u agravua nga pyetjet e shumta që po i bënim unë dhe disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Thjesht u shmanga, u futa brenda në klasë, mbylla derën. Fatkeqësisht nuk e mbaja dot derën nga ana e shpatullës dhe hapi derën. E hapi sërish me thikë në dorë. Në ato momente vjen presorja dhe më shpëtoi nga ai djali.”