Arrestohet pronari i ‘pit bullit’ që sulmoi të moshuarin në Durrës, dëshmitarët okularë rrëfejnë ngjarjen

Një i moshuar në moshën 84 vjeçare u sulmua ditën e djeshme nga një qen pitbull që ishte braktisur nga i zoti dhe endej i lirë në rrugët e qytetit. I moshuari mori plagë serioze në kokë e trup, ndërsa policia këtë të premte njoftoi se ka arrestuar 44 vjeçarin që kishte braktisur qenin e racës së rrezikshme.

“Braktisi qenin e tij Pitbull, i cili sulmoi në rrugë dhe dëmtoi një 84-vjeçar, identifikohet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e djeshme, për një 84-vjeçar që ishte sulmuar në rrugë, nga qen të llojit Pitbull, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh identifikuan dhe arrestuan pronarin e kafshës (qen i llojit Pitbull), shtetasin A. L., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 13, për veprën penale “Braktisja e kafshës të shoqërimit”.

Ndërkaq, 84-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në afërsi të plazhit në lagjen nr.13 të qytetit. I moshuari po ecte në rrugë kur është sulmuar nga disa qen, ndërsa qeni i racës ‘pit bull’ e ka rrëzuar dhe kafshuar në kokë e pjesë të trupit.

Banorët që ndodheshin atje kanë tentuar të ndërhyjnë por ka qenë e pamundur largimi i të moshuarit… derisa një grua e cila drejtonte makinën e saj ka ndërhyrë me automjet duke mundur të largojë qentë. Një prej dëshmitarëve që e ka parë ngjarjen ka sqaruar para hetuesve se qeni i bardhë (pit bulli i braktisur) e kishte shtrirë në tokë të moshuarin dhe po e kafshonte në kokë, veshë dhe trup.