Ashtu siç pritej, Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë të shtunë masën e sigurisë “arrest me burg” për Dan Hutrën, 40 vjeçarin e akuzuar për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre grave të tjera.
Përballë gjykatës, Hutra është shprehur se nuk është aspak i penduar për atë që ka bërë.
“Nuk jam i penduar, i kam bërë më konshiencë krimet.”-tha Hutra.
Më tutje ai shtoi se fajin e ka drejtësia që e dënoi për dhunë në familje, pasi sipas tij ai nuk e ka prekur ish bashkëjetuesen, të cilën e plagosi pak ditë më parë.
“Jam dënuar pa faj për dhunën në familje, nuk e kisha prekur. I kërkoj drejtësisë, mos dënoni njerëz të pafajshëm, për të mos mbërritur në masakra të tilla”, ka thënë Hutra.
Gjyqtarja i ka thënë gjatë seancës Hutrës, nëse e kupton se me akuzat që ka, përballet me burgimin e përjetshëm.
“As më intereson fare… edhe 5 burgime të përjetshme të jenë. E kam mbyllur”.-përfundoi Hutra.
40 vjeçari akuzohet për një seri veprash penale. Prokuroria kërkon dënimin e tij për 5 vepra penale, konkretisht: “vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave’, ‘vrasje me paramendim’, ‘vrasje e mbetur ne tentative’ ‘plagosje e rëndë me dashje’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.