“Asgjë nuk krahasohet me humbjen e fëmijës” Solidaritet për babain që humbi të bijën në tërmet

Fotoja e tij duke i mbajtur dorën të bijës së ndjerë, u kthye në simbolin e tragjedisë që solli tërmeti në Turqi. Së fundmi Agjencia franceze e lajmeve (AFP) i ka kushtuar një artikull babait të quajtur Mesut Hancer dhe familjes së tij, e cila tashmë ndodhet në Ankara.

Mesut tregoi se po punonte në furrën e tij të bukës kur ra tërmeti i 6 shkurtit. Ai mësoi se e shoqja me tre fëmijët nga 4 fëmijët kishin mundur të dilnin…. por jo e bija, më e vogla. Vajza e quajtur Irmak e kishte kaluar natën tek gjyshja, kishte dashur të kalonte kohë me kushërinjtë e familjarët…

“Në tërmet humba nënën, vëllezërit e mi, nipat e mbesat… por asgjë nuk krahasohet me humbjen dhe varrosjen e fëmijës tënd. Dhimbja është e papërshkrueshme”-tregoi ish- bukëpjekësi për AFP-në.

Tashmë Hancer ka nisur punë në një stacion televiziv dhe ka një shtëpi në Ankara, si mbështetje e dhënë nga një biznesmen në Turqi që ka në pronësi televizionin. Mijëra të tjerë janë shprehur solidarë me babain dhe familjen e tij, duke i shprehur gadishmërinë për ta ndihmuar.

Një artist ndërkohë, i ka dhuruar familjes një pikturë ku e bija e ndjerë Irmak, është në krah të të atit si një ëngjëll. Piktura është e varur në dhomën e ndenjes dhe është ngushëllim për sytë e familjarëve.

Ndërkohë fotografi i AFP-së Adem Altan, tregoi se po shkrepte fotografi në afërsi të vendngjarjes, kur pa Mesut Hancer teksa i mbante dorën të bijës së ndjerë. Me një zë të mbytur, ky i fundit iu drejtua fotografit duke i thënë “të lutem shkrepi një foto vajzës sime”…