Në këtë episod të “Historive Profetike në Kur’an” ndalojmë në historinë e një prej Profetëve më të mëdhenj në islam, atë të Pejgambërit Musa alejhi selam.
Elvis Naçi nis të rrëfejë historinë e Profetit Musa dhe përgjatë tregimit, ndalon në një moment me mjaft peshë, veçanërisht për të rinjtë e të rejat.
Elvisi: Historia e tij nis që në djep. Ai është përmendur në Kur’an, 136 herë. Flasim për Profetin Musa. Nga hebraishtja e vjetër vjen, apo armaikja. Do të thotë njeriu i ujit.
Është një nga 5 Pejgamberët më të mëdhenj. Përmendet shumë në Kur’an, sepse ai është shumë aktual. Musai është e vërteta, e kundërta e tij ëstë Faraoni. Musai është e vërteta, Faraoni është e gënjeshtërta, Musai është drita, Faraoni është errësira.
Zoti i Gjithësisë e përmend historinë e tij në disa sure, e përmend gjatë, në disa tjera shkurtimisht. Izraelitët në atë kohë jetonin në Egjipt. Përse? Sepse lidhet me historinë e Jusufit, që treguam. Kur Jusufi mori të atin dhe fisin e tij, ata u shpërngulën atje. Me kalimin e kohës, u vu një dinasti shumë diktatoriale dhe izraelitët u kthyen në skllevër.
Një natë, Faraoni shikon një ëndërr. Një zjarr i madh që nis nga lagjet e izraelitëve, i vjen tek pallati i tij mbretëror dhe ia djeg të tërin. Këtu fillon historia. Ai ishte personifikimi, e ndoshta nuk ka patur në histori një njeri më të keq se ai.
Ai thërret njerëzit që komentonin ëndrrat. Ata i thanë, një fëmijë që do të lindë nga izraelitët, do të të marrë pushtetin, do të të shkatërrojë. Ai nuk e njihte Zotin, dëshira e tij ishte për pushtet. Çfarë bën? Ai jep një urdhër shtetëror. Vritini të gjithë fëmijët. Çdo fëmijë që lind nga izraelitët, le të vritet.
Tani, do të vinte në jetë, ai i cili, që jo Faraoni, por të gjithë faraonët e botës, kur Zoti do ta Caktojë diçka, nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Nëna e Musait fshihej. Kalon koha. E lind Musain dhe i bën një sënduk fëmijës. Me një litar e mbante e nëse dikush do ta zbulonte, ajo do ta hidhte të birin në lumë për të mos u kapur e vrarë. E zbuluan nënën e Musait dhe ajo e hodhi sëndukun në Nil. I tha të bijës, ndiqe se çfarë po ndodh me Musain…I Madhi Zot, i qofshim atij falë, këtë sënduk, e dërgon afër pallatit mbretëror.
Faraoni kishte një grua, Asjan. Ajo nuk lindte dot fëmijë. Shërbëtoret e marrin dhe çuditen, shikojnë një foshnje. Ia dërgojnë Asjas. Sa e ka parë fëmijën, ajo është dashuruar me Musain. Ka thënë, ky do të bëhet fëmija im. Dashuaria e Faraonit ishte shumë e madhe për Asjan. Faraoni ngul këmbë që foshnja duhet vrarë, por Asja ia mbush mendjen.
Faraoni e bëri si fëmijën e tij. Historia ka treguar, se ai nuk e ka dashur. Por e donte apo jo, Musanë e desh Asja.
Po le të ndalojmë pak tek nëna biologjike e Musait. Ajo e hodhi fëmijën e Zoti thotë “ashtu e frymëzova unë”. Por motrën, e bëri sebepin, e dërgoi. Pasi Asja ia mbushi mendjen Faraonit, Musai qante dhe nuk pinte qumësht në asnjë gji. Motra e Musait me zgjuari i tha, unë njoh një grua, qumështi i saj është shumë tërheqës. Asja, e dashuruar me Musanë, e thërret gruan (nënën biologjike) dhe sa e vendos tek gjiri saj, Musai pi qumësht.
Le të ndalojmë pak tek Asja. Ajo ishte e para grua në botë, pra me pushtet. Kur Musai shpalli fenë, besimin tek një Zot, ajo ishte shumë e sinqertë dhe pranoi besimin tek Zoti. Faraoni kur e mësoi, u nxeh jashtëzakonisht. Ai nga zemërimi i madh, nxorri ferman për ta ekzekutuar. Edhe pse e kanë torturuar, ajo nuk pranoi të lërë besimin. Pas kësaj, Faraoni vendosi ta vrasë. Do t’i hidhnin një gurë të madh për ta vrarë e që ajo të bëhej shembull.
Këtu hyn ajeti i Kur’anit, ajo ka thënë vetëm një fjali… “O Zot, të qofsha falë, më jep një shtëpi afër teje, në xhenet”.
Asja është një nga 4 gratë më të mëdha në Islam. Pse u lartësua më shumë? Sepse ajo kishte çdo gjë në dorë, botën në dorë, por ajo e la këtë dhe besoi në Madhështinë e Zotit.
Musai pra, rritet në pallatin mbretëror. Ai u rrit midis dy pozicioneve. E para në pallatin mbretëror, ku ai mori dituri e fuqi fizike. Ai aty kuptoi pushtetin. Musai shpesh shkonte tek benizraelitët dhe takonte nënën e tij biologjike, pasi e dinte se ajo e kishte ushqyer me gji në vegjëli, por jo se ishte e ëma biologjike. Edukatën e besimin, ai e merrte tek nëna e tij biologjike. Kur Musai arrin të 20-tat, atëherë nëna biologjike ia tregon të vërtetën. Vitet kaluan dhe Musai jetoi mes këtyre dy pozicioneve.
Një ditë, Musai duke kaluar në rrugë, shikon një egjiptian që po shante e po godiste një ben israil. Musai afrohet dhe në atë moment egjiptiani ka dashur të godasë dhe atë. Por, Musai ka qenë shumë i fuqishëm. Në këtë kohë, ai ishte në moshën 30 vjeçare. Egjiptiani e goditi, por edhe Musai po ashtu.
Në Kur’an thotë Zoti i Gjithësisë, egjiptiani bie në tokë dhe vdes. Pa e patur si qëllim Musai. Ai ende nuk ishte Pejgamber dhe thotë… “O Zot më fal, kjo është vepër e Shejtanit’.
Në këtë çast, Musai nis të mbrojë ben israilët. Të nesërmen, Musai pa sesi një tjetër egjiptian po konfliktohej, me po të njëjtin ben israil. Lajmi për vdekjen e egjiptianit kishte shkuar ndërkohë tek Faraoni dhe atje kishte nisur puna për të kërkuar fajtorin, pa e ditur se kishte qenë Musai.
Në kohën që Musai i afrohet ben israilit, i thotë… “Ti qenke fajtor po ashtu, i zinke me çdo egjiptian”.
Në atë moment ben israili tregon… “Do të më vrasësh dhe mua ashtu siç bëre me egjiptianin?”
Këtu egjiptiani që po konfliktohej me ben isralin e dëgjoi dhe u largua me vrap, për të treguar në pallatin mbretëror. Lajmërohet Faraoni. Musai mbeti, u fut për të ndihmuar, por hyri në bela. Faraoni, që asnjëherë nuk e kishte dashur, nxjerr një ferman për ta vrarë.
Pra Musa, u nis për të bërë një të mirë, por filluan pasojat dhe sprovat. U largua. Po ku të shkonte, pasi pushteti i Faraonit ishte i shtrirë shumë…
Një vend i kujtohej, që nuk ishte nën sundimin e Faraonit. Ai vend quhej Medien. Ky vend është atje ku ka shkuar Pejgamberi Shuajb për të shpërndarë islamin. Musa shkon atje. Nga një princ, në një njeri që nuk kishte më ujë për të pirë. Atje ndalon për të pirë pak ujë dhe çfarë shikon…
Shikon dy vajza të reja. Musai ende nuk ishte bërë pejgamber. I erdhi keq për ato dy vajza. Atje mbushnin ujë njerëzit, i jepnin bagëtive, këto vajza as nuk llogariteshin fare, tepër të diskriminuara. Musai i afrohet dhe me edukatë i pyet… “Pse nuk afroheni, pse rrini kështu të shtangura?”
Ato i thanë… “derisa të mbarojnë burrat, e para nuk na pranojnë dhe e dyta, ne nuk përzihemi”
Musai ia ka marrë kovat dhe për shkak se ishte i fuqishëm, ia ka mbushur kovat menjëherë. U ka thënë më pas njerëzve atje…”Nëse do të ishit burra të vërtetë, do të mbushnin gratë dhe vajzat në fillim ujë e pastaj ju”.
Ata e shihnin çuditshëm… atje gratë diskriminoheshin. Më tutje Musai largohet. Ndalon nën hijen e një peme. I mbetur vetëm. Thotë… “O Zot, për çfarëdo nevoje që kam tek ty, jam ku jam, i dërrmuar në të gjitha aspektet”. Qëndronte dhe vetëm përmendte Zotin.
Një nga vajzat atje vjen përpara Musait. Si thuhet në Kur’anin Famëlartë. Vetëm një ajet e përshkruan dhe është kjo, për të gjitha vajzat e gratë muslimane…
“Erdhi duke ecur me turp”.
Çfarë i tha vajza? Nuk i tha, ma jep pak numrin e telefonit apo shkojmë pimë një kafe. Zoti na faltë, por sot ka vajza që fjalorin e kanë më keq sesa meshkujt. Do thotë dikush pse për djemtë lejohet. Jo, katastrofë dhe kjo, por për një vajzë akoma edhe më shumë.
Kjo vajzë, i ka thënë vetëm një fjali… “Babai të kërkon për të të dhënë shpërblim për mirësinë që bëre”
Babai ishte Shuajbi, ishte Pejgamber. Musai pranoi. Kur arritën në shtëpi, Shuajbi e pyeti Musain. Musai i tregoi historinë, ndërsa Shuajbi i thotë, “paske shpëtuar nga një popull zullumqar”.
Një prej vajzave, e pëlqente Musain. Në një çast, ajo i thotë, në kohën dhe me finesën e duhur.
“O baba, merrë në punë këtë person, sepse më i miri që mund të marrësh në punë, është ai që është i fuqishëm për të kryer punën dhe që është i moralshëm.”
Babai ishte Pejgamber, kthehet dhe e pyet… “Po mir moj bijë, ku i nxorre kaq shpejt konkluzionet”
E bija i përgjigjet… “Baba e pashë kur po mbushte kovat, ishte i fuqishëm dhe moralin, kur po ecnim drejt shtëpisë, ai më tha të ecë ai para dhe t’i tregoja rrugën”
Shuajbi e kuptoi që e bija po shprehte njëfarë simpatie.
Elvisi: Le të ndalojmë këtu një minutë. Kini kujdes, me personat që zgjidhni. Duhet të jetë i moralshëm, duhet të jetë i dijshëm, ekuilibrues. Vetëm mos harroni një gjë. Asnjëherë mos e harroni një gjë. Jeta është ekuilibër. Asnjëherë mos zgjidhni personin që do të mërzisë babain/nënën… por, po ashtu, asnjëherë mos zgjidhni personin që babai apo nëna ju mërzit juve. Pra, ai/ajo që do të merrni, do të jetë me dashuri, do ta pëlqeni. Por jo nga ato martesa që të thotë prindi do ta marrësh dhe ti nuk e ke parë ndonjëherë e nuk e pëlqen…. por, edhe të deheni, e të merrni një njeri që nuk e pëlqen nëna apo babai, t’i thyeni zemrën e prindit. Edhe këtu duhet të kemi kujdes. Nuk mund të thyhet zemra e prindit. Pra ka disa ekuilibra, krijohet një harmoni.
Le të kthehemi tek historia. Çfarë i thotë Shuajbi Musës. I thotë “A më shërben ti mua 8 deri në 10 vite dhe si ‘meher’, ti martohesh me një nga vajzat e mia?”
Pra fjala është për atë vajzë që kishte shprehur simpatinë, por ia tha me shumë finesë. Kësisoj, po të kujtojmë momentin kur Musai ishte nën hijen e pemës dhe i lutej Zotit… Zoti ia solli, e bëri me punë dhe me familje.