Atentat në “Don Bosko”: Maskat qëllojnë me silenciator drejt dy personave, kush janë të plagosurit

Dy persona kanë mbetur të plagosur këtë pasdite në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë, teksa janë qëlluar me armë zjarri në ambientet e një lokali.

Të plagosurit nga atentati janë Kastriot Elezaj, 45 vjeç si dhe Renaldo Metushi, 22 vjeçar. I pari është goditur me plumb në kraharor, ndërsa 22 vjeçari ka marrë një plumb në pjesën e këmbës.

Besohet se 3 kanë qenë personat e përfshirë në atentat, ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar me armë me silenciator. Atentatorët kanë qëlluar nga një automjet Volkswagen Golf5.

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj tha për median:

“Autorët kanë qëlluar nga automjeti. Nuk kanë zbritur. Kemi pamje filmike si ka ndodhur ngjarja. E kemi idenë e qartë për ngjarjen kriminale që ka ndodhur. Kanë hapur zjarr nga makina është probabilitet i madh që të kene qenë të maskuar.

Ishin në të njëjtën tavolinë (të plagosurit). Kemi evidentuar që kanë vetëm lidhje shoqërore. I riu (22 vjeçari) nuk është kamerier, kanë qenë duke pirë kafe në verandën e këtij lokali. Për objektivin do të përcaktohet nga hetimi. Të paktën njëri prej tyre ka precedentë kriminalë, por ne jemi duke hetuar për background-in që të plagosurit kanë dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë.”-tha Vocaj.

Rezulton deri më tani se dy të plagosurit kanë lidhje shoqëore mes tyre. Kastriot Elezaj ka precedentë të mëparshëm penalë.. Pasi kanë qëlluar në drejtim të dy personave, ata janë larguar me shpejtësi.

Makina Golf5 është gjetur e djegur në zonën e Institutit, ndërsa brenda saj një armë që besohet të jetë përdorur për të kryer krimin.

“Më datë 03.09.2024, në Don Bosko, në afërsi të OSHEE, janë plagosur me armë zjarri shtetasit K. E., 45 vjeç, dhe R. M., 22 vjeç, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, informoi policia.