Atentati në Shkodër: Kush është nëna e pafajshme që humbi jetën, i shoqi po lufton për jetën

Flutura Basha ishte 56 vjeçe. Po kthehej nga puna me të shoqin Bashkimin, kur papritur në rrugë, jo shumë larg shtëpisë së tyre, u përballën me breshërinë e të shtënave drejtuar makinës së Hamza Licit. Makina e këtij të fundit goditi motorin ku udhëtonin burrë e grua, prindër të tre fëmijëve.

Përplasja ishte fatale për nënën e tre fëmijëve, e cila gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes. I shoqi Bashkimi, vijon ende të jetë në spitalin e Shkodrës, në luftë për jetën.

Familjarët kanë hapur dyert e mortit për Fluturën, e cila la pas tre jetimë të mitur. Nga ana tjetër, kryefamiljari Bashkim Basha, ndodhet në gjendje kritike.

ATENTATI

Makina ku udhëtonin Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit si dhe Arlind Bushati, djali i kandidatit për deputet Xhemal Bushati, është qëlluar të paktën 30 herë me breshëri automatiku. Atentatorët të cilët janë ende në kërkim, kanë qëlluar në lëvizje nga automjeti i tyre dhe më pas janë larguar. Makina e atentatorëve u gjet e djegur pak orë më vonë. Lici ndërroi jetë në automjetin e tij, ndërsa pasagjeri Bushati, humbi jetën në spital disa orë më vonë.