Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të hënës në një prej lagjeve të Athinës, atje ku një 18 vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një përplasje tragjike.
Disa kamera sigurie kanë filmuar të gjithë aksidentin, i cili ka ndodhur në një kryqëzim në zonën e Kipselit. Dy motorë, njëri i drejtuar prej të riut shqiptar dhe një tjetër i drejtuar nga një 16 vjeçar, janë përplasur mes tyre.
Të dy të rinjtë kanë rënë në tokë, por për 18 vjeçarin shqiptar rënia ka qenë fatale pasi ai ka goditur një prej shtyllave të vendosura në anë të trotuarit. Përplasja ka qenë e ashpër, ndërsa 18 vjeçari është zvarritur për të paktën 30 metra në asfalt.
Shqiptari ka humbr jetën në vendin e ngjarjes. I riu tjetër ka marrë lëndime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Asnjë prej dy të rinjve nuk mbante kokore. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur dinamikën, sesi dhe përse ndodhi përplasja që solli vdekjen e shqiptarit.
Më poshtë video e publikuar nga mediat greke.
Kujdes, pamjet janë të rënda