“Ishte diçka që nuk e prisnim, të gjithë ne u shokuam”
Kështu e përshkruan doktoresha kirurge Hari Priya Bandi, momentin kur në sallën e operimit dhe nga lobi frontal i një 64 vjeçareje, doli një krimb.
Krimbi ishte i gjallë dhe me një gjatësi prej 8 centimtrash. BBC i ka kushtuar një artikull rastit i cili besohet të jetë i pari në botë, kur një krimb i gjallë është gjetur në trurin e një njeriu.
Gruaja 64 vjeçare kishte ardhur në spital duke rrëfyer se kishte dhimbje stomaku, kollë, djersë të shumta gjatë natës, të cilat i kishin shkaktuar depresion dhe humbje në memorje. Ajo u shtrua në spital dhe pas një skaneri, u zbulua diçka në kokë. Gruaja kishte një lezion në të djathtë të lobit frontal të trurit.
Pas një biopsie, mjekët zbuluan se lezioni në fakt… ishte diçka tjetër. Rasti i gruas nga Uellsi i Ri Jugor (Australi) besohet të jetë i pari rast kur në trurin e një njeriu rritet një larvë krimbi… kjo pasi mjekët besojnë se krimbi ka qëndruar për të paktën 2 muaj në trurin e 64 vjeçares.
“Kur e nxorra jashtë, krimbi po lëvizte ‘hareshëm’”-tregoi neurokirurgia Bandi, e cila shtoi se “nuk i kishte ndodhur kurrë të shihte diçka kaq abnormale.
Krimbi i përkiste një specie të quajtur “Ophidascaris robertsi”, një krimb i rrumbullakët që shpesh gjendet tek disa specie gjarpërinjsh jo helmues të cilët i gjen në masë në Australi. Duke iu referuar rastit të pazakontë, studiuesja (eksperte e parazitologjisë) Mehrab Hossain beson se gruaja e ka marrë parazitin në kontakt me një bimë (barishte) e cila përdoret atje për ushqim. 64 vjeçarja jetonte pranë një liqeni. Me gjasë në bar ka patur larva të krimbit, ndërsa një prej tyre ka arritur të zhvillohet në trurin e saj, pas kontaktit të duarve me fytyrën.