I njohur gjerësisht si ndër pionerët e inteligjencës artificiale (IA), Geoffrey Hinton ka dhënë dorëheqjen e tij nga Google, përmes një deklarate të publikuar në gazetën e mirënjohur “New York Times”.
75 vjeçari tha se tanimë, ai është penduar për punën e tij në këtë fushë dhe se kishte ardhur koha dhe mosha për të dhënë dorëheqjen. Në një prononcim për BBC-në, Hinton paralajmëroi për rreziqet që shfaq IA për njerëzimin, duke thënë se disa nga përmirësimet e modeleve gjuhësore (AI Chatbots) ishin “me të vërtetë të frikshme”.
“Tani, ato nuk janë më inteligjent se ne, me aq sa unë mund të them… por mendoj se shumë shpejt mund të jenë”-tha Dr. Hinton.
Puna dhe kërkimi i 75 vjeçarit në rrjetet neurale i hapën rrugën sistemeve aktuale si “ChatGPT”. Në fushën e inteligjencës artificiale, rrjetet neurale janë sisteme të ngjashme me trurin njerëzor, në sensin e të mësuarit dhe procesimit të informacionit. Ato i japin mundësinë një inteligjence artificiale që të mund të ‘mësojnë’ përmes eksperiencës (përvojës), njëlloj siç bëjnë njerëzit. Ky proces njihet si “deep learning” (të mësuarit e thellë).
Hinton, me prejardhje britaniko- kanadeze (profesor në shkencat kompjuterike dhe në psikologjinë konjitive) shpjegoi për BBC-në se “chatbot-et” shumë shpejt mund të marrin nën kontroll informacionin që mban truri njerëzor.
“Tani, po shohim gjëra si ‘GPT-4’, e cila eklipson njeriun në sasinë e njohurive të përgjithshme… i eklipson dukshëm. Në terma të arsyetimit (GPT-4) nuk është si ne, por ka që tani një aftësi të thjeshtë arsyetimi… duke parë shkallën e progresit, ne presim që këto sisteme të bëhen më të mira shumë shpejt. Duhet të shqetësohemi për këtë”-tha Hinton.
Në shkrimin e Hinton publikuar në “New York Times”, ai i është referuar “aktorëve të këqij”, të cilët sipas tij mund të përpiqen ta përdorin inteligjencën artificiale për “gjëra të këqija”.
I pyetur nga BBC-ja për ta shtjelluar këtë argument, Hinton tha: “Ky është thjesht një lloj i skenarit më të keq, një skenar makthi… Mund ta imagjinoni, për shembull, një aktor i keq si Presidenti rus Putin, vendos t’u japë robotëve aftësinë për të krijuar vetë qëllimet e tyre”
Hinton më tutje shtoi se inteligjenca artificiale mund të krijojë qëllime dytësore, të llojit “duhet të kem më shumë fuqi/pushtet”.
Ai shtoi: “Kam ardhur në konkluzionin se lloji i inteligjencës artificiale që ne po krijojmë, është shumë i ndryshëm nga inteligjenca që ne kemi. Ne jemi sisteme biologjike dhe ato janë sisteme digjitale. Dhe diferenca e madhe është se në sistemet digjitale, ti mund të kesh shumë kopje të të njëjtit model. Dhe të gjitha këto kopje mund të mësojnë veçmas e ta shpërndajnë këtë njohuri në mënyrë të menjëhershme mes tyre. Është sikur të kemi 10 mijë njerëz dhe çfarëdo gjë që e mëson një njeri, gjithkush automatikisht e mëson po ashtu. Dhe kjo është mënyra, sesi këto chatbot-e kanë njohuri shumë më të mëdha se një person”
Burimi: BBC/ Përshtati e përktheu: FCH.al