“Babai na ka vdekur, nëna pësoi tumor në tru” Historia përlotëse e 3 jetimëve, nuk kanë shtëpi ku të jetojnë

Diku në një cep të dhomës ku qëndrojnë këta tre jetimë, është një mesazh që i drejtohet nënës… në të shkruhet: “Të dua nënë, jeta pa ty është si qielli pa hënë”

Edmondi, Ermelinda dhe Melisa janë ende fëmijë. Por ajo me të cilën janë përballur, do të thyente kollaj shpirtin e kujtdo… babai i tyre nuk jeton më, ndërsa e ëma u prek nga një tumor në tru.

“Babai më ka vdekur…mami ka pësuar tumor në tru. Frika ime…? Kam frikë, mos mbetemi në rrugë…”-thotë Melisa, e cila është veçse 11 vjeçe.

“Nuk e di si mundem me qenë gjallë deri më tani, me ato që kemi kaluar…”-thotë Mira, nëna e tre jetimëve.

Të thuash se kjo nënë ka vuajtur, është një nënvlerësim për atë që i ka përballuar zemra. E sot, në vështirësi ekonomike, 46 vjeçarja është detyruar të jetojë tek prindërit e saj. Nuk shqetësohet për shëndetin e saj, por ka një barrë të madhe në zemër… ku do të jetojnë fëmijët?

“Nuk dua t’i ndodhë nënës, ajo që i ndodhi tim ati. Kemi ardhur tek shtëpia e gjyshit, sepse nuk kemi patur mundësi të paguajmë qiranë… por edhe gjyshi me qira jeton. Do ju lutesha shqiptarëve vetëm për një dhomë, një shtëpi të vogël”-thotë  Ermelinda, 12 vjeçe.