“Babai vetëm qante” Vrau kunatin kur mësoi çfarë i kishte bërë të bijës, rrëfimi përlotës i 18 vjeçares

Drejtësia greke ka lënë nën masën e “arrestit në banesë” 50 vjeçarin Fatmir Talellari, babain i cili disa ditë më parë i mori jetën kunatit të tij 33 vjeçar Erjon Pelivani, fill pasi mësoi nga e bija se ky i fundit i kishte përdhunuar vajzën prej vitesh.

Me dhënien e vendimit për masën paraprake, fëmijët e 50 vjeçarit shpërthyen në lot gëzimi.

Më tutje në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të sallës së gjyqit, të dy avokatët mbrojtës të 50 vjeçarit u shprehën të gëzuar mbi vendimin e gjykatës në Volos.

“Ndihem mirë, njëlloj si e gjithë shoqëria greke në këto momente”-tha një prej avokatëve, i quajtur Alexi Kougias.

Media greke po ashtu ka zbardhur deklarimin e 18 vjeçares  e cila është përdhunuar prej 9 vitesh nga 33 vjeçari që vrau Talellari.

“I tregova tim ati se dikush më kishte ngacmuar qëkur isha 9 vjeçe, ndërsa përdhunimi nisi kur bëra 12 vjeç. Aty shpërtheva në lot. Babai më mori në krahë. Ishte i qetë dhe më tha se do të ishte përherë pranë meje. Ai më tha që të gjeja guxim dhe të shkonim për ta denoncuar rastin”-tregoi 18 vjeçarja, raporton Mega.

“Ai (vëllai i njerkës, 33 vjeçari Pelivani) më thoshte se i duheshin lekë. Kisha 1 mijë euro në çantë që babi m’i kishte dhënë për qiranë. Kur po hyja në makinë ai më tha se i kishte marrë nga çant ime dhe se nuk do të më bezdiste më. Iu luta që të mos i bënte publike videot që më kishte bërë. Unë kisha frikë nga ai. Të nesërmen pashë që në çante kishte lënë pa marrë 150 euro. Kisha frikë se ai do të më rrihte, mua, motrat e mia, tim atë”-shtoi më tutje 18 vjeçarja.

18 vjeçarja tanimë ndodhej në një shtëpi me qira dhe me studime. 50 vjeçari i paguante qiranë të bijës dhe ishte informuar nga e zonja e shtëpisë se paratë e qirasë e bija nuk ia kishte dhënë.

“Im atë e mësoi nga pronarja e shtëpisë se unë kisha vonuar pagesën, e aty nisi makthi. Ato para mi kishte dhënë babai e unë nuk e kisha paguar qiranë. Ditën e nesërme ai erdhi të më takojë. Në fillim nuk i tregova. Por më vonë, ia shpjegova historinë nga fillimi. I thashë të qëndronte i qetë dhe vendosa t’i tregoj se çfarë më kishte ndodhur për gjithë ato vite”-tregon 18 vjeçarja.

“Babai më pyeti, kush është ky njeri, por unë nuk kishte kurajo t’ja tregoja.  (Kur shkuam tek avokati) Ai më tha që të nis të shkruaj çfarë më ka ndodhur. Bëra një vizitë tek një specialist. Im atë ishte përherë në krahun tim, duke qarë, duke u ndier në faj. Ai donte të më mbronte, të më përqafonte, të më puthte. Insistoi t’i tregoja se kush ishte personi”.

Siç raporton media greke, 18 vjeçarja shkroi në letër gjithçka kishte ndodhur… dhe një ditë më vonë, në kushte të rënduara, i tregoi të atit emrin e personit që e kishte përdhunuar, filmuar, fotografuar e ngacmuar ndër vite.

“Im atë vetëm qante dhe ia hidhte fajin vetes për atë që më kishte ndodhur. U ndjeva keq dhe i tregova se ishte vëllai i njerkës sime, gruas së tij të dytë. (Nëna e vajzës kishte ndërruar jetë më parë në një aksident rrugor). Kur babai i dëgjoi emrin, u shokua. Aty insistova edhe më shumë që të vijonim me denoncimin tek autoritetet. I kërkova pak kohë që të flisja me psikiatrin e mu duk sikur ai pranoi.

Vajza tregoi se hera e fundit që ishte përdhunuar ishte 2 muaj më parë në shtëpinë e të atit në Volos.

“Më detyroi ta takoja. Më tha se nëse nuk vij ta takoj, ai do të nxirrte videot që më kishte bërë. U ngjita në makiën e tij dhe për një moment i kërkova të ndalonte. Desha të largohem. Ai më tha në rregull, kjo do të jetë hera e fundit.”-tregon adoleshentja.

Në lidhje me videot apo fotot e bëra, 18 vjeçarja tregon se të paktën njërën e ka parë, pasi ia ka treguar 33 vjeçari.

“Këto video ekzistojnë, një e kam parë. M’i tregoi një vit më parë me sekuenca të shkëputura dhe më pas i fshiu ato. Video ishte 36 sekonda e gjatë. Ishim në dhomën time. Fytyra e tij nuk dukej qartë, por tatuazhi i tij po.. Aty kam qenë 13-14 vjeçe.”-rrëfen më tutje 18 vjeçarja.