Babi i vdiq, nëna me tumor, rrëfimi 12 vjeçares: Epilepsia më rrëzon përtokë! Rri pa ilaçe dhe flej e uritur

“Jetën time e kam përshkruar me lot.”

Kështu e përshkruan jetën e saj Keisi. Ajo është veçse një fëmijë dhe në vend të ditëve kaluar me librat, me lodrat, me pafajësinë e moshës, ajo thotë se jeta e saj është veçse vuajtje.

Me babain tashmë të larguar nga kjo botë, Keisi është jetime. Nëna e saj Donika, prej 5 vitesh lufton me tumorin në gji… ndërsa Keisi vogël vuan nga epilepsia.

“Unë kam epilepsi. Ka ndodhur që të bie në tokë në shkollë, me shkumë nga goja. Ka ndodhur në shtëpi disa herë. E kam gjetur veten në spital, me serume. Unë shumë herë rri pa ilaçe, sepse nuk kemi mundësi.”-tregon mes lotëve 12 vjeçarja.

E kur nëna largohet për t’u kuruar në onkologjikun e Tiranës, është Keisi ajo që kujdeset për të motrën.

“Unë për motrën jam bërë si nënë e dytë, se sa herë ikën mami në Tiranë, unë rri me motrën, e ndihmoj për detyrat, i gatuar, çdo gjë. Ne makarona hamë çdo ditë… kur nuk kemi ushqim, i themi mamit më mirë të flemë gjumë që të mos ta ndjejmë urinë që kemi.”-tregon 12 vjeçarja.

“Unë i lutem shqiptarëve… sepse ne nuk kemi shtëpi”

Në mesin e kësaj jete ku ka gjetur vetëm trishtim e vështirësi, Keisi me motrën e të ëmën jetojnë edhe në kushte tepër të vështira. Shtëpia ku po qëndrojnë nuk është e tyrja, ndërsa varfëria e mjerimi janë të kudondodhur. Keisi 12 vjeçe, me epilepsi, lutet për ndihmë. Edhe ajo ëndërron edhe pse në mes të territ e fatkeqësive…

“Ne nuk kemi shtëpi. Kur bie shi, na hyn shiu. Dimri ka qenë shumë i keq, sepse ne rrimë në batanije, me xhupa. Kemi frikë se banjën e kemi poshtë, të përbashkët. Kemi frikë atje të lahemi, të shkojmë në tualet.

Unë dhomën time e ëndërroj që të jetë e bukur, të ketë një shtrat të rehatshëm, të ketë lodra…prandaj kam qejf që dhe unë të kem një shtëpi të mirë. Unë i lutem të gjithë shqiptarëve vetëm për një shtëpi.”-thotë Keisi.

Donate Button