Ballsh: Sapo kishte marrë pensionin, i moshuari rrëzohet dhe ndërron jetë

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në qytetin e Ballshit, ku një i moshuar ka humbur jetën pasi ka marrë pensionin e tij në një prej sporteleve të postës. I moshuari dyshohet se humbur ekuilibrin duke rënë nga shkallët në afërsi të postës në lagjen ’28 Nëntori’.

Kalimtarët e kanë ndihmuar të moshuarin si dhe kanë njoftuar ambulancën e policinë. Siç raportojnë autoritetet, i moshuari 75 vjeçar dyshohet të ketë pësuar një arrest kardiak, fill pasi ka marrë pensionin e tij.

“Në qytetin e Ballshit, pranë Postës, dyshohet se për shkak të një arresti kardiak ka humbur jetën shtetasi F. A., 75 vjeç, banues në fshatin Hekal, Mallakastër. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi hetimor rezulton se 75 vjeçari ka rënë nga shkallët si pasojë e arrestit kardiak. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.”-thuhet në njoftimin e policisë.