BE i ‘pret’ në takim pa kushte, Vuçiç refuzon të shkojë personalisht, Kurti: Pres lajme për oficerët e rrëmbyer

Përfaqësuesit e lartë të BE-së i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti si dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht.

BE paralajmëroi se mospërfillja e ftesës, do të ketë pasoja për palët. Por duket se pavarësisht “pasojave” të paralajmëruara, Presidenti i Serbisë e ka ndarë qëndrimin e tij. Vuçiç ka deklaruar se nuk do të shkojë në takim me Kurtin, ndërsa ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Më herët (dje, 18 qershor) Presidenti i Serbisë deklaroi se ai vetë refuzon të takohet me Kurtin, por ende nuk e ka vendosur nëse “teknikisht do të paraqitet në takim”.

Kurti ndërkaq, deklaroi këtë të hënë se pret të takohet me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, për të mësuar në lidhje me gjendjen e tre oficerëve të rrëmbyer nga forcat serbe javën e kaluar.

“Kam kërkuar takim për javën që shkoj, më patën thënë se duhet të deeskalohet gjendja, pastaj u kidnapuan tre policët tanë. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas u njoftova për një takimi të radhës, që s’jam i sigurt që është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jasharit, në burg në Kralevë, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve që po mbahen peng, po mbahen rob në Serbi si hakmarrje, do ta marr vendimin”-tha Kurti.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, deklaroi se dy liderët janë ftuar për t’u takuar në Bruksel, më qëllim “për të gjetur dalje nga kriza”.

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.