BE-ja gati të pezullojë shërbimin e ri të TikTok, komisioneri dixhital: Toksik dhe i dëmshëm për fëmijët

Pas SHBA-ve, duket se dhe Bashkimi Europian do të veprojë kundër aplikacionit të njohur TikTok. Ky duket të jetë vendimi i unionit i cili përmes Komisionit Europian do të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të TikTok Lite, një aplikacion i TikTok-ut i cili jep shpërblime të ndryshme në këmbim të shikimit të videove.

Një shërbim i tillë është cilësuar si ‘toksik’ dhe i dëshëm njëlloj ‘si cigaret’ nga ana e autoriteteve në Bruksel. Komisioni Europian i ka dhënë kohë deri të mërkurën TikTok-ut që të mund të sjellë përpara argumente e prova në mbrojtjen e saj, përpara se KE-ja të veprojë.

Shqetësimi është se ky lloj shërbimi krijon varësi serioze mes moshave të reja, të cilat përmes shtysës së përfitimit, mund të bëhen krejtësisht të varur nga aplikacioni. Duket se BE-ja po e konsideron seriozisht pezullimin e këtij shërbimi të ri që sjell TikTok, teksa komisioneri dixhital Thierry Breton, tha se platforma e zotëruar nga një firmë kineze, deri më tani ka dështuar të provojë se TikTok Lite zbaton dhe është konform rregullave të BE-së, ndryshuar se fundmi në gushtin e vitit të kaluar (me ligjin Digital Service Act-DSA)

Shërbimi TikTok Lite, i cili u hap fillimisht në Francë e Spanjë, me gjasë mund të bllokohet nga BE-ja me argumentin se nuk ndërmerr masa mbrojtëse për fëmijët. Komisioneri dixhital Thierry Brenton vuri në dukje se ky shërbim u bë i aksesueshëm në këto dy vende, pavarësisht se kishte një hetim në vijim që nisi në muajin shkurt dhe që kishte për pikënisje pikërisht shëndetin e kujdesin për fëmijët.

Ky lloj i ri shërbimi që ofron TiTok është i tipit “shiko (video) dhe merr dhurata”. Dhuratat vijnë në formën e kuponëve, gift card-eve apo monedhave dixhitale.