BE kushtëzon zyrtarisht integrimin e Serbisë, me normalizimin e raporteve me Kosovën

Serbia s’do të mund të anëtarësohet dot në Bashkimin Europian, nëse nuk normalizon marëdhëniet me Kosovën. Tanimë një kusht i tillë është formalizuar dhe bërë zyrtar nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilët kanë miratuar të hënën vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në union.

Ndryshimi ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, ku thuhet se zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është kusht formal për procesin e integrimit të Serbisë në BE.

Në tekstin e kornizës negociuese, është shtuar ky tekst:

 “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Një vit më parë më 27 shkurt në Bruksel, Kosova e Serbia arritën në një ‘Marrëveshje Bazë’, ndërsa më 18 mars në Ohër, u arrit një pajtim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Stano pohoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet. Serbia përmes zyrtarëve të saj disa herë ka thënë se ajo nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.