Viti i largët 1925. Dila Ndoja lindi në një familje në një fshat të Mirditës. Familja e Dilës e refuzoi vendosjen e regjimit totalitar në Shqipëri, njëlloj si shumë mirditorë të tjerë. Por rezistenca e tyre u përball me pushtakimet e dënimet nëpër burgjet komuniste. Në vitin ’52, Dila do të sillte në jetë fëmijën e saj, por në kushte jashtëzakonisht të rënda… në qelinë e burgut ku vuante dënimin.
E dënuan sepse i kishte dërguar ushqim të vëllait, një personi që regjimi i kohës e shihte si armik. Ky është rrëfimi i rrallë i një gruaje, që përballoi vuajtje të mëdha.
“Kam lindur në fshatin Xhuxhe të Mirditës, në familje e Zef Ndrecës, në vitin 1925. Ishim një familje me gjendje të mirë ekonomike. Me ardhjen e komunizmit në krahinën tonë, shumë mirditorë ishin antikomunistë dhe iu kundërvunë regjimit të ri, me rezistencë.
Në këtë rezistencë mua më pushkatuan babain Zef Mark Ndreca më 26.12.1946. Në vitin 1950 më vranë vëllain Ndue Zef Ndreca 17 vjec ,më 13 .12.1950. Prej familjes kam tre vetë të pushkatuar. Vetem njëri vëlla, Mark Zefi arriti të largohej duke kaluar kufirin shtetëror me shumë vështirësi dhe pas shumë peripecish u vendos në Amerikë”, rrëfen Dila.
Kur e arrestuan, Dila ishte në muajin e tretë të shtatzanisë. Pavarësisht këtij fakti, Dila u rrah e torturua nga hetuesia.
“Mua më arrestuan sepse u përpoqa t’i çoja ushqime vëllait, Ndue i cili ishte në përpjekje për t’u arratis. Më mbajtën 3 muaj në izolim në burgun e Kukësit ku më kanë torturuar në mënyrë të vecantë me rrahje, mandej në Shkodër (tek shtëpija e Dr.Prelës (që ishte bërë shtëpi-burg). Më kanë dënuar me izolim në birucë.
Më dënuan pse takova vëllezërit. Më dënuan 8 vjet heqje lirie. Në këtë periudhë isha tre muajsh shtatzënë (burrin e kisha në burg) dhe fëmija im i provoi rrahjet në mënyrë çnjerëzore dhe izolimin në birucat e ftohta dhe plot lagështirë”, rrëfen Dila.
Në agimin e 1 janarit të vitit 1952, Dila solli në jetë të birin. Një fëmijë që lindi në burg, në një qeli jo më të madhe se 5 metër katrorë. Për 9 muajt e ardhsëm Dila me të birin ‘jetuan’ në qeli, derisa një ditë erdhi për nënën goditja e radhës.
“Më 1 janar 1952 linda djalin në burg edhe aty u bë 9 muajsh. Hilmi Saiti, drejtori i bugut më tha: Të kemi dënuar ty dhe jo fëmijën”, rrëfen Dila.
Djali i Dilës u mor dhe u dërgua në jetimore.
“Djalin ma dërguan në befotrofin e qytetit të Shkodrës, ndërsa mua më transferuan në Tiranë, 3 vjet punova në rrobaqepësi, duke qepur rroba oficerësh, kam endur qylyma, kam punuar pambuk në fermë…
Përfitova prej fëmijës se më kapi amnista dhe bana 3 vjet burg. Kur dola nuk kisha asnjë të drejtë civile. Nuk kisha as shtëpi, as pare, isha e vetmume. Erdha në Shkodër dhe më shoqëroi një bashkëvuajtëse nga Korça, e cila jetonte në këtë qytet. Ollga quhej. Ajo më ndihmoi derisa gjeta një dhomë për banim dhe punë në fermë. Kam punuar në punët më të rënda si në tulla, fermë, ndërtim etj.”, rrëfen Dila.
Vitet kaluan dhe Dila më në fund u bë gati të shkojë për të marrë të birin. Jetuan së bashku, në kushte të vështira, por të paktën së bashku. Vitet ecën përpara, por për Dilën, do të vinte një tjetër tragjedi, më e madhja për një nënë.
“Djalin e takova për herë të parë mbasi dola nga burgu dhe pasi kisha siguruar punë e dhomë. E rrita djalin me shumë dashuri e përkujdesje. Mësonte mirë, mbaroi shkollën e mesme, u bë llamarist por fatkeqësisht ai i mbylli sytë përjetë në moshë të re”, rrëfen Dila.
Por një dritë shprese pati edhe për këtë nënë të vuajtur. I biri ishte bërë dhëndër e kishte lënë pas një djalë. Nipi e deshi gjyshen, e respektoi dhe u përkujdes deri në fundin e jetës së saj.
Shënim: artikulli bazohet në librin “Kalvari i grave në burgjet komuniste” me autore Fatbardha Saraçi Mulleti, botuar nga ISKK.