Biden i përgjigjet zërave për tërheqjen nga gara:  Vetëm i madhi Zot më largon, unë do ta mund Trump-in

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden i është kundërpërgjigjur zërave të shtuar për një dorëheqje të tij të mundshme nga gara, duke thënë se vetëm ‘i madhi Zot’ do ta bindte për t’u larguar nga kandidimi.

Mesazhi i Biden erdhi në një intervistë dhënë për Abcnews të premten, nga ku Presidenti u pyet nëse do të merrte në konsideratë kryerjen e një testi konjitiv rezultatet e të cilës do t’i bënte publike. Biden refuzoi një kërkesë të tillë, duke theksuar se ai është i aftë të bëjë detyrën e tij dhe se në zgjedhjet e nëntorit, do të dalë ai fitimtar në përballjen me Donald Trump.

“Unë kam teste konjitive përditë. Çdo ditë unë jam përballë atij testi sepse çdo gjë që bëj është një test”-tha Joe Biden përballë gazetarit George Stephanopoulos.

Për të parë intervistën e plotë, klikoni KETU

Biden po ashtu hodhi poshtë zërat e disa zyrtarëve demokratë dhe disa donatorëve, se ai duhet të tërhiqet nga gara për t’i lënë vendin një kandidati më të ri në moshë, pretendime që u shtuan ndjeshëm pas debatit të tij të dobët përballë Donald Trump.

“Nuk besoj se ka njeri më të kualifikuar se unë për të qenë President apo për të fituar këtë garë.”-tha Biden.

Gjatë intervistës 22 minutëshe, Biden po ashtu tentoi të ‘zbusë’ frikën e shumë demokratëve se ai ka humbur terren përkundrejt Trump në garën presidenciale. Biden po ashtu la mënjanë pyetjen e bërë disa herë nga gazetari, nëse aleatët e tij i kanë kërkuar që të tërhiqet nga gara. Në këtë pikë, Biden tha se “vetëm nëse i madhi Zot vjen këtu poshtë e më thotë, Joe, dil nga gara”. Më tutje Presidenti shtoi  “por i madhi Zot nuk do të vijë këtu poshtë”