Biden vijon me gafat: Zelenskin e prezanton si ‘Presidenti Putin’, ngatërron Kamal Harris me Donald Trump

Mbrëmjen e të enjtes, në një konferencë para gazetarëve dhe pa ndihmën e fjalimeve të përgatitura, Presidenti Joe Bien sërish bëri gafa… gafa të cilat veçse po i shtojnë zërat dhe kundërshtitë që 81 vjeçari të vijojë garën për një mandat të dytë si Presidenti i shtetit më të fuqishëm në glob.

Para se të dalë në konferencë për shtyp, Bien bëri gafën e parë duke e prezantuar në Samitin e NATO-s Presidentin e Ukrainës Zelenski, si Presidentin Putin.

“Dhe tani dua t’ia dorëzoj (fjalën) presidentit të Ukrainës, i cili ka aq guxim dhe vendosmëri. Zonja dhe zotërinj, President Putin… Presidenti Putin? Ju do ta mundni Presidentin Putin! President Zelensky! Jam aq i përqendruar në mposhtjen e Putinit, ne duhet të shqetësohemi për këtë, gjithsesi”, u shpreh Biden. 

Më tutje në konferencë, një tjetër gafë… një gazetar e pyeti Bidenin për zv.Presidenten Kamala Harris, ndërsa në përgjigje Biden iu referua gruas që zgjodhi vetë si zëvëndësen e tij afro 4 vite më parë, si zv.Presidenti Trump.

“Shiko, unë nuk do të kisha zgjedhur Zëvendës Presidentin Trump si zëvendëspresident nëse ajo nuk do të ishte e kualifikuar për të qenë president”-tha Biden.

Në më shumë se një rast gjatë konferencës, Biden e humbi fillin e tij të mendimit (shiko videon më poshtë).

Më pas Biden tha se i ka kryer deri më tani tre ekzaminime neurologjike dhe se mjekët thonë se ai është i aftë për të kryer detyrën.

 “Kam bërë tre ekzaminime intensive neurologjike dhe ata thonë se jam në formë të mirë. Edhe pse kam një problem të vogël me këmbën time të majtë, unë jam mirë, testohem çdo ditë sa i përket kapacitetit tim neurologjik. Nëse ata mendojnë se duhet të bëj përsëri një ekzaminim neurologjik unë do ta bëj. Askush nuk ma sugjeron këtë tani.”-tha Biden.