Bilanc i dhimbshëm në Marok: Mbi 2000 jetë të humbura prej tërmetit, shumë ende po flenë në rrugë

Vijon të rritet numri i jetëve të humbura si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Marokun. Autoritetet vendase kanë konfirmuar deri më tani se ka mbi 2000 jetë të humbura, ndërsa kërkimet për të mbijetuar apo të tjerë trupa të pajetë vijojnë ende, veçanërisht në fshatrat në zonat malore në jug-perëndim të Marrakeshit.

Vetëm së fundmi, ushtria marokene arriti të hapë njërën ndër rrugët kryesore që të çon në këto zona të banuara malore, pasi aksi atje ishte bllokuar nga rrëshqitjet e dherave.

Ndërkohë në qytetin e Marrakesh, dhjetëra banorë kanë vijuar për të dytën natë radhazi, të flenë nëpër rrugë apo parqe, për shkak të frikës së ndonjë pasgoditje të fuqishme.

Frika është se numri i viktimave do të vijojë të rritet me kalimin e ditëve. Në një raport të Kombeve të Bashkuara thuhej se afro 300,000 njerëz janë prekur nga tërmeti, veçanërisht në Marrakesh e zonat përreth.

Një sërë vendesh kanë dërguar tashmë ndihma e ekipe shpëtimi për t’i ardhur në ndihmë Marokut. Një moment mjaft prekës, ka qenë dhe akti vullnetar i ekipit kombëtar të futbollit atje. Të gjithë lojtarët shkuan në spitale për të dhuruar gjak, pasi ka mungesa të theksuara për shkak të numrit të lartë të të lënduarve.