BILD: Ushtria gjermane po bëhet gati, Rusia planifikon të sulmojë frontin lindor të NATO-s

Gazeta prestigjoze gjermane Bild ka publikuar së fundmi një artikull që paralajmëron se era e luftës është sërish pranë në Europë.

Bild shkruan se forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr) kanë nisur tashmë pregatitjet për një konflikt të hapur e të armatosur me Rusinë. Sipas dokumenteve që BILD shkruan se ka analizuar, thuhet se ushtria gjermane bëhet gati për një seri me skenarë lufte, ndërsa konflikti armatosur mund edhe të nisë që në muajin shkurt 2024.

BILD raporton se në këto skenarë jepen detaje sesi Rusia planifikon të sulmojë krahun lindor të NATO-s, duke goditur shtetet baltike. Konflikti sipas BILD do të nisë fillimisht me luftë hibride dhe sulme kibernetike, të cilat do të pasohen nga konflikti armatosur.

Në dokument, thekson BILD në artikullin e saj, thuhet se kulmi i luftimeve do të arrijë në verën e vitit të ardhshëm, kur NATO e Rusia do të hyjnë në luftë.

BILD më tutje krijon një skenar në artikull, sesi pritet që të nisë gjithçka. Trupat ruse do të fillojnë mobilizimin në shkurt të këtij viti, ndërsa në pranverë do të ketë një tjetër ofensivë të madhe në Ukrainë. Në Qershor Rusia do të bëhet gati për të sulmuar shtetet baltike. Fillimisht lufta atje do të bëhet me sulme kibernetike e lloje të tjera të luftimit hibrid.

Po sipas BILD, tensionet mund të rriten në tetor 2024, kohë në të cilën Rusia përgatitet të nisë trupat e saj (e ndihmuar dhe nga Bjellorusia) drejt Kaliningradit (një eklavë ruse në detin Baltik, mes Polonisë e Estonisë).

“Konfliktet në kufi” dhe “trazirat me dhjetëra viktima” do të ndodhin në “korridorin Suvalki” (një korridor i vogël mes Bjellorusisë e Kaliningradit, që gjendet në kufirin mes Polonisë e Lituanisë) në dhjetor 2024, fill pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Skenari që publikon BILD, përfundon në verën e 2025, kohë kur NATO e bashkuar dërgon në kufirin e saj lindor trupat dhe nis luftën me Rusinë.

Në fund të artikullit të saj, Bild shkruan se në skenarin sekret gjerman, pyetja nëse NATO do të mund të ndalojë Rusinë… mbetet e hapur.