“Bloomberg”: Turqia pritet të marrë komandën e forcës së NATO-s në Kosovë

“Turqia pritet që të marrë në dorë komandën e forcave të NATO-s në Kosovë, në një rotacion të planifikuar këtë vjeshtë, në momentet e përplasjeve më të ashpra përgjatë dekadës, sipas një zyrtari turk që është familjar me problemin”

Kështu shkruan ‘Bloomberg’ në një artikull të fundit, publikuar këtë të enjte.  Sipas ‘Bloomberg’, Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe me gjasë do të marrë përsipër misionin e KFOR-it, drejtuar nga Italia, në muajin tetor.

Vendimi- sipas zyrtarit turk me të cilin ka folur media- është marrë kohë përpara se të nisnin tensionet e përleshjet në komunat veriore të Kosovës.

Me kërkesë të NATO-s, Turqia ka dërguar në Kosovë një batalion me komando, fill pas ngjarjes së rëndë në Zveçan, atje ku u lënduan të paktën 30 oficerë të Aleancës.

Ministria e Brendshme turke nuk bëri koment, shkruan Bloomberg, njëlloj po ashtu dhe një prej zëdhënësve të NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi këtë çështje.