Medalistja e bronztë e botës dhe Evropës Donjeta Sadiku, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin botëror të Boksit që nisi këtë të martë në New Delhi të Indisë.
“Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.
Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.
Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherit mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.”-thuhet në njoftimin e publikuar së fundmi nga Komiteti Olimpik i Kosovës