Braktisi foshnjen 3 muajshe pranë koshit të mbeturinave në Golem, zbardhet dëshmia e 22 vjeçares

Është ndaluar nga policia 22 vjeçarja e cila një ditë më parë braktisi foshnjen e saj 3 muajshe në bregdetin e Golemit (Kavajë), pranë një koshi mbeturinash. 22 vjeçarja ka treguar para hetuesve se e braktisi fëmijën pasi nuk kishte mundësi ekonomike për ta mbajtur.

“E kam braktisur foshnjën pasi nuk kam mundësi që ta mbaj. Nuk kam kushte ekonomike”, ka thënë ajo.

Foshnja është pikasur nga një kalimtar në zonë, i cili më tutje ka lajmëruar autoritetet. Foshnja është dërguar me urgjencë në pediatrinë e Durrësit.

Rezulton se kjo nuk është hera e parë që nëna e re ka braktisur një fëmijë të sajin. Pak vite më parë ajo ka braktisur në Tiranë fëmijën e saj, i cili tashmë është tre vjeçar.

Në lidhje me rastin në fjalë,  psikologia Afërdita Mehmeti u shpreh për abc-në se nëna i përket komunitetit rom dhe se dukshëm mungesa e mbështetjes familjare dhe financiare, e ka çuar nënën në veprimin e rëndë.

“Ky është një rast i përsëritur dhe janë organet kopetente që duhet që të merren në lidhje me këto raste. Duhet që të bëhet një analizë e gjatë për të parë edhe gjendjen psikologjike të nënës. Nëna i përket komunitetit rom, dhe mendoj se mund të ketë disa shkaqe, që në fillim mendoj statusi psikologjik i saj, frika për të pasur kujdestarinë  e një foshnje, kushtet ekonomike. Këto foshnja i kalojnë institucionit të kujdesit social dhe më pas shtëpisë së fëmijës.

Ky është një rast që është një nënë që besoj nuk ka as mbështetje financiare as familjare pasi ajo del në rrugë dhe lyp për vete dhe janë institucionet e shërbimit social që duhet të shikojë dhe të ndjekë me kujdes këto raste. Ky rast duhet që të denoncohet. Shërbimi social është ai që duhet që të vërë dorën për ti ndihmuar”, tregoi psikologia.