Reshjet e dëborës janë intensifikuar këtë të hënë në thuajse të gjithë veriun e vendit, ndërsa në fshatin Ostren të Bulqizës, kalimi me automjete është bërë i vështirë për shkak të borës së madhe.
Një fëmijë i mitur i sëmurë dhe në nevojë për trajtim spitalor, është ndihmuar nga efektivët e batalionit të tretë të këmbësorisë së Forcave të Armatosura në veri të vendit. Këta të fundit e kanë transportuar me mjetet ushtarake fëmijën, e mandej e kanë dërguar në autoambulancë që i mituri të transportohrt ne spital.
“Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore kanë përfunduar me sukses operacionin për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit të Bulqizës. Fëmija u transportua fillimisht me mjetin ushtarak të Batalionit të Tretë, ku më pas u krye kalimi në ambulancë për të vijuar drejt spitalit. Ky operacion është një shembull i përkushtimit dhe humanizmit të Forcave të Armatosura, të cilat qëndrojnë gjithmonë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente”, thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.