Bulqizë, mbi 50 persona paraqiten me shenja helmimi prej ujit të ndotur, çfarë thonë mjekët e banorët

Përgjatë dy ditëve të fundit dhjetëra banorë të njësisë administrative Gjoricë në Bulqizë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm. Në spitalin e Bulqizës si dhe në qendrën shëndetësore në Gjoricë ka patur fluks të vizitave të banorëve, të cilët kanë patur shenja helmimi (kryesisht të vjella dhe diarre).

Nga analizat e kryera nga njësia vendose, ka rezultuar se uji ka qenë i ndotur. Analizat janë kryer në disa pika, ndërsa këtë të dielë në qendrat spitalore janë parë 7-8 persona të tjerë që kanë patur të njëjtat simptoma helmimi.

Në prononcim për mediat, mjeku Telman Veliu u shpreh se me këtë të dielë bëhet thuajse dita e tretë që banorët vijnë në qendra spitalore. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka patur komplikacione të shëndetit.

“Është thuajse dita e tretë sot që vazhdojmë me rastet. Sot rreth 7-8 vetë kanë qenë që do të thotë se është një numër më i ulët se i djeshmi, të paktën deri në këto momente. Simptomat janë bark e të vjella, dhimbje barku, që është karakteristikë e asaj që tashmë mendohet të jetë, helmimi nga uji. Nuk kanë pasur komplikacione të rënda, shpresojmë të përmirësohet situata”, tha mjeku Telman Veliu.

Në lidhje me ngjarjen, një prej banorëve shprehet se në familjen e tij edhe mbesa 3 vjeçe ka patur probleme me të vjella e temperaturë.

“Ka të paktën  4  ditë që ka ndodhur ky problem. Është një nga arsyet kryesore që njerëzit duhet ta bëjnë lajmërimin se njerëzit vijojnë të pinë ujë. Kemi depozitën e ujit pa asnjë lloj roje. Ne japim lekë dhe shkojmë nëpër spitale  nuk është mirë. 99% ujit ia kam lënë. Aty ia kam lënë nuses. Gocën tre vjeçare e kam pas me të vjella, dhe temperatura. Duhet roja te depozita. Shteti duhet të marrë masa. Këtë e dimë që hedhin klor”, u shpreh ai.