Burrë e grua, të dy punëtorë në ndërtimtari! Historia e veçantë e çiftit shqiptar në Greqi

Manoli është një prej shumë shqiptarëve që vendosi të largohet drejt Greqisë në vitet ‘90 për një të ardhme më të mirë. Me profesion në ndërtimtari, Manoli punoi për disa vite në Greqi, ndërsa e shoqja Aurela, iu bashku në vitet 2000. Çifti ka dy fëmijë, por edhe një të përbashkët mjaft të veçantë. Vitet e fundit edhe Aurela ka vendosur t’i bashkohet të shoqit duke ia “përvetësuar” zanatin në ndërtimtari.

Çifti punon prej të paktën dy vitesh së bashku dhe siç thonë ata, punët i kanë ndarë dhe arrijnë t’i menaxhojnë më së miri.

“Po patjetër që na pëlqen puna. Ne jemi shumë të lidhur. Përveç se jemi çift, jemi edhe miq, nuk zihemi në punë, të themi edhe këtë.”-tha Aurela, ndërsa Manoli me tone humori shtoi se “grindemi vetëm për disa detaje të vogla”.

“Për punën, kur shkojmë të shohim një punë, nisemi bashkë. Menaxherja është gruaja ime”-tha Manoli, ndërsa më pas shtoi se “Çdo tre muaj ne lyejmë shtëpinë (qesh)… del një ngjyrë e re në treg dhe Aurela më thotë hajde ta lyejmë njëherë shtëpinë

Çifti dha një intervistë për Abcnews”, ndërsa së fundmi burrë e grua kanë nisur të postojnë video e foto në rrjetet sociale për të reklamuar punën.

“E pamë që njerëzit e pëlqenin, na respektonin që bënim punë së bashku.”-tha Aurela, ndërsa Manoli shtoi se “videot kanë tërhequr vëmendjen. Ne e kemi rritur nivelin e punës me veglat e mjetet dhe njerëzit na ndjekin. Morëm disa vegla e stile pune nga Gjermania e Amerika që edhe në Greqi nuk njihen”

Në fillimet e punës, Aurela tregoi se ka patur thashetheme dhe fjalë, por shumë shpejt edhe ato u shuan.

“Ka njerëz sidomos këtu në ishull ku jemi ne, se këtu njihen të gjithë. Në fillim më thonin ku po vete që bën punë burrash. Na thonin pse nuk merrni një ndihmës, i kemi patur këto si fjalë, si thashetheme.”-rrëfeu Aurela.

Burrë e grua punojnë të dy përgjatë vitit, me përjashtim të verës, kur rritet kërkesa për punë. Manoli tregoi edhe si e nisi punën në ndërtim e shoqja.

“Kjo punë në Greqi e Shqipëri duket e vështirë, sepse jashtë shtetit një 30% e grave punojnë në këtë profesion përshembull. Ishte një kohë që Aurela nuk shkonte më në punën e saj. Gjithçka nisi kur erdhi të më ndihmojë me gjëra të vogla, me pastrime a diçka. I kam dhënë punë dhe kështu filloi. E kisha pak me hile dhe unë (qesh) dhe e solla kastile në punë, besoja se ajo do të mësonte shpejt e të më ndihmonte”-tha Manoli.