Fundi i ‘jetës’ së një ylli është një ngjarje dramatike, por ato që lë pas shpërthimi i një ylli, mund të jetë edhe më dramatik. Këtë na tregon pamja më e fundit që vjen nga teleskopi hapësinor “James Webb”, i cili sjell një shembul ekzemplar… mbetjet pas një supernove në “Kasiopea” (Cassiopeia A- Cas A). Nga perspektiva jonë kohore, ky shpërthim ka ndodhur para 340 vitesh. Kjo zonë (foto më poshtë) është mbetja e një supernove në galaktikën tonë dhe një ndër zonat në hapësirë, që i japin mundësi shkencës për të studiuar më në detaje se çfarë ndodh.
“Cas A përfaqëson mundësinë tonë më të mirë për të bërë një lloj ‘autopsie’ mbi fundin e një ylli dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur e çfarë lloj ylli ishte ai që tashmë ka shpërthyer”-shpjegoi një profesor i universitetit Purdue (Indiana-SHBA).
“Krahasuar me imazhet e tjera me infra të kuqe, këtu shohim detaje të jashtëzakonshme që më parë nuk kemi patur mundësi t’i kemi”-shtoi më tutje një profesor i universitetit të Princeton.
Zbërthimi i imazhit
Imazhi i kapur nga teleskopi është në infra të kuqe, por fotoja është përkthyer në ngjyra që syri mund të shohë. E ngjyrat e dukshme në këtë pamje, janë elementë të rëndësishëm për shkencën. Konkretisht në zonën e jashtmë të fluskës, veçanërisht lart në të majtë, mund të shikohen materiale në ngjyrë portokalli dhe në të kuqe, të cilat tregojnë për shtëllunga masive pluhuri hapësinor me temperatura të konsiderueshme. Kjo tregon vendin se ku materiali ka shkuar, në momentin kur ylli ka shpërthyer në supernova.
Në qendër të ‘flluskës’ (pjesa qendrore e fotos), dallohen filamente në gjyre rozë të shndritshme, si dhe disa formacione në formë grumbulli e nyjesh. Këto elementë përfaqësojnë mbetjet e yllit vetë dhe kanë të cilla ngjyra për shkak të elementëve të rëndë si oksigjeni, argoni e neoni.
E mbase më e dukshme në këtë imazh, është një ‘lak’ në ngjyrë jeshile që ndodhet në anë të djathtë të qendrës së fotos.
“I kemi vënë emrin ‘monstra jeshile’… kompleksiteti dhe forma e këtij formacioni, është i vështirë për t’u kuptuar”-tha Danny Milisavljevic, profesor i universitetit të Purdue.
Burimi: NASA/ JWST, pështati me disa shkurtime: FCH.al