Çfarë mbeti pas përmbytjeve shkatërrimtare në Spanjë, deri më tani numërohen 202 viktima

Vijon të rritet numri i bilancit të viktimave në Spanjë, atje ku në 72 orët e fundit përmbytjet dhe vërshimet masive kanë shkaktuar shkatërrim të jashtëzakonshëm.

Deri më tani autoritetet thonë se janë plot 202 persona që janë gjetur të vdekur, informacion ky që e përcjell Ministria e Brendshëm dhe qendra e saj për koordinimin e operacioneve. Puna me kërkimet vijon ende thonë autoritetet, ndërsa frika është se ka ende viktima të pagjetura.

Ajo çfarë ka mbetur nga përmbytjet e dy-tre ditëve të fundit nga ana tjetër, është si një skenar filmi post-apokaliptik, me rrugët e qyteteve të përmbytura që janë kthyer në fusha të pamata me baltë, rrënoja e mbeturina të pafundme.

Dëmi ka qenë aq i madh saqë edhe pamjet satelitore tregojnë magnitudën e shkatërrimit.

Në disa zona reshjet kanë qenë të jashtëzakonshme. Në disa syresh brenda 6 apo 8 orëve ka rënë një sasi reshjesh të barabarta me sasinë e reshjeve të një viti të plotë e në disa raste, edhe më shumë sasi sesa një vit i tërë.

BBC raporton nga vendi ngjarjes së në disa qyteza ku përmbytjet kanë sjellë shkatërrim të madh, nuk ka rënë asnjë pikë ujë, por për shkak të vërshimeve, ato janë përmbytur plotësisht. Qyteza si Alfafar, janë një shembull i tillë, ku nuk pati reshje shiu, por pasojat e përmbytjeve kanë qenë të mëdha. Njëlloj ndodhi edhe në qytezën ngjitur, në Sedavi, ku pati vetëm disa momente kur fryu era. Brenda 30 minutave veçse raporton BBC-ja, Alfafar-i dhe Sedavi u përmbytën nga një lumë balte që si një “ortek” mori përpara çfarë të gjente.

Të premten autoritetet kanë ngritur sërish alarmin në zonat e prekura në lindje e jug të vendit, pasi sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë sërish reshje shiu.