Çfarë po ndodh, sirena alarmi dëgjohen sërish në Mitrovicën e Veriut

Sirena alarmi janë dëgjuar këtë pasdite në Mitrovicën e veriut.

Mediumi lokal ‘Radio Kontakt Plus’ ka publikuar disa pamje, atje ku duket se grupe serbësh kanë nisur të grumbullohen në një pjesë të qytetit.

Alarmi është lëshuar fill pas një operacioni të policisë së Kosovës atje. Pak minuta pas rënies së sirenave të alarmit, ka reaguar Ministri i Mbrojtjes Xhelal Sveçla, i cili ka deklaruar se është arrestuar një prej organizatorëve që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.

Republika nuk do të zmbrapset.”-njoftoi Ministri Brendshëm Zveçla.