“Çika dridhej, thoshte zemra po më dhemb” Detajet e vdekjes tragjike të vajzës 4 vjeçare nga Gjakova

Një ngjarje tragjike ndodhi më 17 shkurt në Kosovë, atje ku një vajzë veçse 4 vjeçe nga Gjakova ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta. Lajmi u bë publik së fundmi, ndërsa media vendase ka sjellë një sërë detajesh mbi ngjarjen 24 orët e fundit. Vajza fillimisht është dërguar në spitalin e Gjakovës dhe më vonë me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore në spitalin e Prishtinës, ku dhe ka ndërruar jetë.

Nëna e vajzës tregoi për median vendase se e kishte lënë të bijën tek i vëllai. Ajo shtoi se 4 vjeçarja ka qenë në ambientet e jashtme duke luajtur, por është gjetur e shtrirë në tokë me shenja në pjesën e gjoksit e shpinës. Gruaja tregon më tutje se vetë e bija i ka treguar se e kanë rrahur fëmijët e tjerë e se njëri e ka qëlluar në gjoks me një dërrasë.

 ‘E mora çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. E mora me vete, por as për të ec s’mundej. Tu ardh më tha ‘oj mam zemra po më dhemb’, e mora në shpi. E zuri gjumi. Nuk kaluan as 5 minuta dhe nisi të qajë sërish, më thoshte më dhemb zemra.

E mora e shkova jashtë, e ajo më thoshte ‘o zemra, o zemra’. E mora çikën dhe e çova në ambulancë. I kallëzova ngjarjen doktoreshës dhe ajo më tha vajza se dhimbjet i kalojnë por ka temperaturë të lartë. Do t’i japësh ilaç për temperaturën më tha doktoresha. Ia dhashë por temperatura nuk i kalonte. Çika krejt dridhej. Erdha në shpi se kam një beb të vogël.”-tregoi nëna e vajzës për Indeksonline.

Por me kalimin e kohës, situata e vajzës është përkeqësuar. Siç tregoi nëna e të ndjerës ajo ka shkuar sërish në spital dhe e bija është shtruar.

Gjatë orëve të natës (rreth orës 04:00 të mëngjesit) në spitalin e Gjakovës, nëna thotë se vajzës i është nxirë trupi dhe në atë moment ajo ka kërkuar ndihmë. Nëna pretendon se një mjek i turnit të natës i ka thënë se do lajmërojë doktoreshën për t’i parë të bijën. Nëna shton se i është dashur të presë deri në orën 8 të mëngjesit që vajza të vizitohej.

 “Vajza e kishte hup krejt kontrollin. Çka hante, veç e villte. Ata e dërguan me një dhomë tjetër, mua më nxorrën jashtë.”-tha nëna e të ndjerës.

Vajza është dërguar me urgjencë në spitalin e Prishtinës. Babai e nëna janë nisur nga Gjakova me makinën e një komshiu. Nëna rrëfen më tutje se i është dashur disa kohë për të gjetur ku është shtruar e bija, pasi asaj në Gjakovë nuk i kishin treguar ku do të shtrohej 4 vjeçarja.

Nëna thotë se një doktoreshë i ka shpjeguar se gjendja tepër e rëndë e të bijës nuk i ka ardhur nga rrahjet, por nga infeksioni në trup.

“Në mbrëmje më ka thirrur doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kam hyrë, kam ndenjtur me çikën dhe erdhi doktoresha më tha: Oj zonjë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Fatkeqësisht vajza ka ndërruar jetë në repartin intensiv më datë 19 shkurt.

Prokuroria e Gjakovës ka dalë me njoftim për të sqaruar se kanë nisur hetimet dhe se është kërkuar një ekspertizë mjeko-ligjore për të hedhur dritë mbi vdekjen e vajzës.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, iu përgjigj organi i akuzës në Gjakovë, interesimit të Express.

Reagimi i spitalit të Gjakovës dhe ai i Prishtinës

Ndërkohë spitali i Gjakovës bëri një reagim në lidhje me rastin, duke thënë se 4 vjeçarja është ndjekur dhe mbikqyrur në mënyrë profesionale. Spitali ‘Isa Grezda’ në Gjakovë mohoi pretendimet e prindërve të të ndjerës se vajza e tyre nuk ka patur trajtimin e duhur mjekësor.

 “Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet.

Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në reagim.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) po ashtu doli me një reagim zyrtar këtë të mërkurë, duke sqaruar të gjitha procedurat e ndjekura dhe arsyen se përse vajza ka ndërruar jetë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve.

“Pacientja sjellët nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore.

Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë).

Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024.

ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë. ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme.”-thuhet në reagimin QKUK-së

Shoqatat në Kosovë apelojnë për zbardhjen e rastit

Një numër organizatash civile si Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë apo Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kanë kërkuar nga autoritetet përkatëse që të ndjekin çështjen dhe të dënojnë konform ligjit përgjegjësit në personelin mjekësor që mund të kenë shfaqur neglizhencë e papërgjegjshmëri në trajtimin e të miturës.

“Të vdes fëmiu brenda ditës dhe të kemi deklarata kontroverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

 “Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale.   Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale.   Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagimin e KOMF.