Ç’po ndodh në Kosovë? Qeveria ‘zotohet’ për draft asociacioni, liderët e Francës, Gjermanisë e Italisë refuzojnë

Të shumta ‘lëvizjet’ politike këtë të enjte, në lidhje me një prej temave më të nxehta në Kosovë, atë të krijimit të një asociacioni për komunat me shumicë serbe.

Mëngjesin e sotëm Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla tha se  kishte dërguar një letër Këshillit të Evropës (KiE) duke garantuar se Kosova do të zotohej në krijimin e një draft- statuti të ri për asociacionin, nëse Kosova do të pranohej në KiE.

Por një zotim i tillë duket se nuk është përfillur nga ana e ndërkombëtarëve. Tre liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë, i kanë dërguar letër po këtë të enjte kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke e njoftuar se  zotimi i qeverisë nuk është një hap i mjaftueshëm, në kohën kur tanimë është e qartë se kusht për pranimin e Kosovës në KiE është bërë themelimi i asociacionit.

 “Me keqardhje, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapat konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe rrezikojnë të minojnë tutje dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”, thuhet mes të tjerash në letër.

Z. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në A/CSMM, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”-shkruhet më tutje në letrën e firmosur nga kancelari gjerman Scholz, Presidenti francez Macron e kryeministrja italiane Meloni

Qeveria e Kosovës propozoi këtë të enjte zotimin e saj për ta bërë ajo draft-statutin për krijimin e asociacionit, një draft që do t’i kalonte për interpretim Gjykatës Kushtetuese jo më vonë se fundi i këtij muaji.

Kjo lëvizje e qeverisë u konsiderua një hap i pakët që në krye të herës. Ambasada gjermane në Prishtinë reagoi pas deklarimeve të Donika Gërvallës, duke thënë se qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte dërguar tanimë një draft në Kushtetuese, në kushtet kur takimi për pranimin e Kosovës në KiE zhvillohet sot ose nesër.

REAGIMI I PRESIDENTES OSMANI

Në lidhje me këtë çështje reagoi dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila përmes këshilltarit të saj tregoi se institucioni që ajo drejton nuk është këshilluar për veprimet e fundit të ndërmarra nga qeveria.

 “Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina për REL të enjten.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

LETRA E PLOTE FIRMOSUR NGA GJERMANIA, FRANCA, ITALIA

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të A/CSMM-së dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim zotërinjsh”.

Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

A/CSMM nuk është në asnjë mënyrë e krahasueshme me Republikën Srpska. Së dyti, dorëzimi i këtij drafti tek ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte një hap të domosdoshëm vendimtar pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë e pranueshme për Gjykatën. Siç u sqarua me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për marrjen e këtij hapi.

Së treti, propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna.

Z. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në A/CSMM, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj. Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj”,